Shehi: Humbje e dhimbshme në një moment delikat, por nuk ka si Teqja

7 Dhjetor 2018
16:26
back button

Trajneri i Skënderbeut, Orges Shehi, ka mbetur mjaft i zhgënjyer nga humbja kundër Kukësit, por nuk ka kritika për portierin Teqja, të cilin e mbron me vendosmëri.

Për ish-kapitenin e Skënderbeut problemi qëndron te presioni dhe në "Gol pas goli" në Supersport shpjegon pse korçarët janë në këtë moment aspak pozitiv, me fitoren që mungon prej 3 ndeshjesh.

"Humbje e dhimbshme, sepse mund ta evitonim lehtësisht, nuk e pësuam nga trysnia e kundërshtarit. Është një humbje që vjen në një moment jo të mirë, ndaj dhemb.

"Është një moment i vështirë, për herë të parë këtë sezon nuk fitojmë në tre ndeshje rresht, ndërkohë që situata nuk është ajo e sezoneve të shkuar, por nuk ka pse të demoralizohemi, duhet të punojmë sa më shumë sot dhe të qeshim nesër.

"Penalltia? Moment që duhej dhe mund të evitohej, por kam qenë vetë në atë pozicion dhe kur e humbet topin aty, e humbet pak toruan. Nuk duhet ta kryqëzojmë Teqjen, është portieri më i mirë në Shqipëri, ndaj duhet t'i japim kurajo.

"Lojtarët e rinj po vuajnë? Janë pak nën presion, natyrisht, sepse janë të rinj, por u kam thënë personalisht që nuk ka arsye pse të bien nën presion, sepse nuk u kërkon kush të zgjidhin ndeshjet të vetëm. Ndoshta marrin përsipër më shumë sesa duhet, duhet t'i bindim që të mos e ngarkojnë veten më shumë sesa duhet.

"Kukësi fitoi lehtë? E thashë, është e dhimbshme të mundesh kështu, pres më shumë nga gjithë reparti i sulmit, por gjithë lojtarët e repartit të avancuar po e vuajnë presionin, aq më shumë që tashmë objektivat kanë ndryshuar dhe fjala titull i vret disi, nuk janë ende të pjekur për të mbajtur atë presion.

"Zgjidhja? Situata nuk është e mirë, ndaj kemi vendosur që skuadra pasnesër të jetë në Korçë, për të vijuar stërvitjen, edhe pse kisha planifikuar një periudhë të shkurtër pushimi. Gjërat duhen bërë me masë, të qeshurit dhe të qarët. Duhet punuar, por pa e humbur besimin dhe optimizmin".

Telesport është krenar që bashkëpunon me Krowd9, një aplikacion fantastik i futbollit për shqiptarët! Shkarkojeni > KETU për video me përmbledhje ndeshjesh, njoftime të menjëhershme për golat dhe të gjitha lajmet e Telesport! Krowd9 është i përdorshëm në shqip, italisht dhe anglisht.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit