Shehi i trembet Egnatias: Ka vendosur në vështirësi çdo ekip, sfidë delikate

3 Dhjetor 2021
12:45
Alfred Lleshi
back button

Vetëm një pikë në dy ndeshjet e fundit. Duket qartë se diçka nuk po shkon te Tirana, e cila pati një fazë të parë të kampionatit për kornizë, duke kryesuar renditjen dhe krijuar distancë me ndjekësit. Megjithatë, dy sfidat e fundit kanë bërë që bardheblutë ta vënë në rrezik tashmë kreun. Për të gjitha këto luhatje, por edhe transfertën e nesërme me Egnatian, foli në konferencë për shtyp Orges Shehi:

“Nesër do të përballemi me një skuadër që ka elementë cilësor brenda saj. Egnatia ka vendosur në vështirësi çdo ekip dhe po ta shihni ka shumë pak humbje, ka ecuri pozitive. Ndërrimi i trajnerit na bën konfuz, sepse nuk e dimë sesi do të vendosen nesër rrogozhinasit. Jemi të ndërgjegjshëm që na pret një ndeshje e vështirë.

Në dy ndeshjet e fundit kemi mbetur të pakënaqur për shkak të pikëve të humbura. Kemi marrë 5 fitore radhazi, ndërsa në dy sfidat e fundit grumbulluam vetëm një pikë. Do të përqendrohemi dhe ta vlerësojmë kundërshtarin.

Nesër do të mungojnë Xhixha dhe Përgjoni, por është rikthyer Behiratchee. Grupi është i plotë, skuadrën e kam parë gjatë gjithë javës të mobilizuar për të bërë kthesën dhe për t’u rikthyer te fitorja. Nuk mendoj vetëm diferencën me Kukësin, shumë skuadra të tjera kanë rikuperuar pikë dhe janë pranë nesh.

Janë luajtur 10 ndeshje nga kampionati dhe na presin e 26 të tjera. Pas një fillimi jo të mirë, pas javës së të tretë kemi qenë dominues dhe kemi pasur distancë pikësh, por në kampionat këto luhatje janë normale. E dimë që rruga është e gjatë, por na duhet përqendrim. Ne do të donim që çdo ndeshje të merrnim maksimumin, por luftojnë edhe të tjerët.

Ndeshja me ndeshjen nuk ngjason, ka episode të ndryshme. Me Kukësin ishim pak më mirë se me Skënderbeun, edhe për shkak të kundërshtarit. Skënderbeu lë shumë pak hapësira dhe përqendrohet më shumë te faza difensive. Me Kukësin e kemi humbur ndeshjen prej episodeve, ndërsa me Skënderbeun nuk kishim raste të pastra shënimi për të shkuar te fitorja.

Pa shënuar nuk fitohet ndeshja. Ne jemi skuadër që ka shënuar 18 gola, jemi të parët në shënimin e golave, pothuajse çdo ndeshje kemi realizuar. Shpresojmë që nesër të shënojmë, jam i sigurt që raste do të ketë”.

Standings provided by SofaScore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit