Shehi jep lajmin e madh: Bregu do të luajë!

15 Mars 2019
17:27
Eraldo Harlicaj
back button

Ecuria e Skënderbeut në javët e fundit ka qenë skandaloze, megjithatë barazimi ndaj Teutës në kampionat dhe kalimi në gjysmëfinalen e Kupës ka ngrohur paksa atmosferën. Trajneri Orges Shehi ka folur para ndeshjes mjaft të rëndësishme kundër Kukësit, që do të luhet ditën e shtunë, prej orës 17:00, në Korçë. Një lajm i mirë dhe i rëndësishëm për ekipin kampion është rikthimi i sulmuesit Dejvi Bregu. Vlonjati nuk ka qenë i gatshëm për teknikun në ndeshjet e fundit dhe rezultatet kanë qenë pikiatë. "Kemi rikuperuar Dejvi Bregun. Unë doja ta luaja një javë më parë, por vendosëm të mos rrezikojmë. Vetëm koha që i është dhënë Bregut është faktori plus". 

Numri një i stolit ka vlerësuar maksimalisht ekipin e Kukësit. "Nuk kam se çfarë të flas për rëndësinë e ndeshjes, pasi dihet tashmë se Kukësi është rivali ynë direkt prej vitesh. Mund të them se kjo ndeshje është pak a shumë si derbi. I kemi marrë të gjitha masat dhe duam që të fitojmë ndaj verilindorëve". 

I ngacmuar nga gazetarët në lidhje me objektivat e mbetura, trajneri e pranon se nuk mund të pretendojnë titullin. "Duam të marrim sa më shumë pikë. Vendi i parë është shumë larg. Nuk jam i kënaqur me pozitën që kemi në klasifikim, mund të shkojmë më lart". 

Kryepankina e Skënderbeut foli dhe në lidhje me humbjet e shumta që kanë shoqëruar skuadrën. "Humbjet e ulin moralin dhe janë të vështira, sidomos për një ekip të ri siç jemi ne. Futbolli i tillë është, pavarësisht se nuk i kemi merituar, i kemi pranuar humbjet". 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit