Shehi: Kampionati nuk mbaron nesër ndaj Laçit, kurrë s’do të bëj qaramanin

20 Mars 2021
12:46
Alfred Lleshi
back button

Pas humbjes në derbi, vjen sfida delikate me kurbinasit. Tirana duhet të reagojë shpejt, edhe pse transferta e nesërme konsiderohet mjaft e vështirë. Laçi është kryesuesi i Superiores, por edhe gjysmëfinalist i Kupës së Shqipërisë, tashmë. Të gjitha këto “valenca” të rivalit të radhës, Orges Shehi i di mirë. Megjithatë, beson te lojtarët e tij:

“Ndeshja me Laçin është shumë e vështirë, do të jetë mjaft e luftuar nga të dyja skuadrat. Megjithatë, nuk e shoh si trenin e fundit për Europën, sepse ka edhe shumë ndeshje në lojë, por si një ndeshje të rëndësishme për objektivat. Gjendja e skuadrës është e mirë, përveç Bekajt, që ka probleme dhe nuk do të luajë dot nesër.

Pjesa tjetër e grupit është stërvitur mirë, gati për ndeshjen e nesërme. Pushim më shumë se Laçi? Nuk e shoh si favor, sepse kurbinasit, edhe pse luajtën në mesjavë në kupoë, kanë pasur kohë për t’i rikuperuar energjitë. Ata janë psikologjikisht shumë lart. Po kështu, faktor plus kanë kualifikimin në Kupë, sepse kjo të jep tjetër moral. Gjithsesi, jemi fokusuar te vetja, si t’i bëjmë më mirë detyrat tona.

Humbja në derbi erdhi në një moment shumë të mirë, pas tri fitoresh radhazi, që ndodhte për herë të parë në këtë sezon. Në katër ndeshjet e fundit kemi marrë 9 pikë, por e kemi trajtuar këtë situatë për të mos pasur ngarkesë emocionale. Le të përqendrohemi vetëm te ndeshja e radhës. Është gabim të qash atë që iku dhe të mos mendosh për të ardhmen, sepse nuk duam të jemi sërish në situatat e mëparshme.

Idetë dhe loja e skuadrës do kohën e vet për t’u perfeksionuar. Në këtë situatë janë të rëndësishme pikët. Kemi marrë pikë edhe në ndeshje kur loja nuk ka qenë në nivelin e duhur. Ka pasur edhe ndeshje kur jemi shfaqur më mirë, por s’kemi marrë pikët. Nuk jam tipi që justifikohem e të them se këtë skuadër gjeta.

E kam marrë skuadrën me koshiencë të plotë dhe do të bëj maksimumin për të qenë aty ku duhet, pavarësisht situates. Nuk do të më dëgjoni kurrë duke bërë qaramanin, të ankohem për gjëra të tilla. Le të fokusohemi te ndeshja e nesërme, futbolli të jep mundësinë për të rikuperuar”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit