Shehi largon presionin: Derbi me Partizanin, shumë i rëndësishëm. Titulli nuk vendoset nesër…

16 Maj 2023
11:49
Alfred Lleshi
back button

Nesër do të luhen ndeshjet e javës së 33-të të Superiores. Pa diskutim spikat kryesfida mes Tiranës dhe Partizanit, derbi i madh i kryeqytetit, që do të luhet në “Arena Kombëtare” prej orës 18:30. Do të jetë përballja e fundit, e katërta për këtë kampionat, mes bardhebluve dhe “demave të kuq”, ku do të vendoset shumë për titullin kampion.

Për momentin, Tirana kryeson me 59 pikë, e ndjekur nga Partizani me 57 pikë. Pra, në rast fitoreje të skuadrës së Colella, atëherë do të kemi rokadë në krye dhe tri sfidat e mëtejshme të mbetura vështirë se do të ndryshonin gjë (dihet si nisin aleancat dhe llogaritë në fund). Fitorja dhe barazimi i shkojnë për shtat skuadrës së Orges Shehit, i cili ka bërë këtë prognozë të derbit të nesërm:

“Dihet që mungesat janë prezentë dhe ata lojtarë që janë të dëmtuar. Pjesa tjetër është e gatshme. Dhe Kristali (Abazaj) është i gatshëm për skuadrën. Mungesat tona janë të rëndësishme. Njëri është golashënuesi i skuadrës, të tjerët janë pjesë shumë e rëndësishme si Hila dhe Behiratçe. Por këto janë gjëra që ndodhin në futboll dhe ne kurrsesi nuk mund t’i qajmë mungesat. Do të hedhim në fushë lojtarët që janë të gatshëm për t’i zëvendësuar dhe që të luajnë shansin e tyre.

A firmos për barazimin? Nuk e di nëse është avantazh ose disazvantazh. Skuadrat kanë specifikën e vet, renditjen, kanë grupin të plotë ose jo, kanë anën psikologjike. Unë mendoj se pas këtij derbi janë edhe tri ndeshje të tjera të rëndësishme për objektivin final. Ne jemi shumë të kënaqur që vijmë në këtë moment të kampionatit në këto pozita: në vendin e parë dhe finalen e Kupës. Kanë mbetur edhe disa sfida, që vlejnë djersën e derdhur gjatë gjithë vitit. Shpresoj që të jemi në më të mirën tonë, sepse kështu edhe rezultati është më afër. Futbolli do edhe pak fat, që shpresoj ta kemi nesër.

Unë do të firmosja për lojtarët e mi që të japin më të mirën. Që të futen në fushë për fitore. Pavarësisht mungesa do të kërkoja një skuadër që ka kurajë, ka karakter, që jep më të mirën e vet dhe shijon momentin. Kjo për t’i ulur presionin, pasi presioni është i pranishëm në çdo derbi. Lum kush e menaxhon mirë atë. Nëse ke anën emocionale në doza të larta, atëherë dëmtohesh dhe nuk e jep më të mirën tënde. Këtë do t’iu kërkoja lojtarëve nesër, edhe në dhomat e zhveshjes. Që sa më pak presion dhe sa më shumë krenari e kurajo për atë që po bëjnë.

Derbi që vendos titullin? Janë edhe tri ndeshje të tjera. Kjo është ndeshje shumë e rëndësishme, vendimtare, por jo përfundimtare. Çdo skuadër shkon drejt objektivit. Nuk mendoj se është përcaktuese nesër, se kush fiton do të sigurojë titullin. Unë do ta luaj si gjithë derbet e tjerë. Kush e ka provuar derbin kupton se këtu nuk hyn asgjë, as renditja, as objektivat, por përqendrimi dhe motivimi. E dimë që derbi ka shumë pak lojë efektive, karakterizohet nga grinta, nga lufta sportive, vendoset nga episodet. Shpresoj që nesër të jemi të vëmendshëm dhe të kujdesshëm. Të vlerësojmë episodet, sepse në derbi episodet vendosin shumë.

Colella na ka ndjekur në stadium? Është një veprim i trajnerit të Partizanit. Sigurisht, ndoshta ka dhe kohën e mjaftueshme, duke ditur që kanë luajtur para nesh, por është një zgjedhje e tij. Është është pyetje që mund t’ia bëni atij. Ne nuk është se kemi gjë për të fshehur, sepse duke qenë që TV i japin ndeshjet tona “live” dhe ritransmetim, ke burime të bollshme që mund të marrësh informacione për kundërshtarin.

Kthimi në “Arena Kombëtare”? Po t’i hapim statistikat, fati ynë ka qenë “Elbasan Arena”. Mendoj se derbi është një ndeshje për t’u luajtur në një impiant si “Arena Kombëtare”. Shpresoj që nesër tifozët të jenë të shumtë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit