Shehi largon presionin: Derbi s’ka favoritë, nuk vlen as renditja momentale

12 Maj 2021
12:04
Alfred Lleshi
back button

Tirana ka nesër shansin e fundit për të mbetur në luftën për titull. Derbi me Partizanin është sprova e së vërtetës për kampionët; do ta mbrojnë kurorën apo jo. Trajneri Orges Shehi bëri këtë prognozë para gazetarëve: “Sigurisht që është ndeshje e rëndësishme. Na ndajnë vetëm 4 javë nga mbyllja e kampionatit, ndeshjet po ikin. Shpresoj të bëjmë mirë dhe nesër të marrim 3 pikët.

Unë mendoj që në futboll nuk ka këtë sezon apo tjetrin. Ka momente dhe momenti është nesër. Nuk duhet të mendojmë se bota rrotullohet rreth nesh, por të marrim 3 pikët. Duhet të menaxhojmë energjitë për t’u paraqitur sa më mirë nesër.

Ne realisht po kalojmë një moment të mirë. Në shumë ndeshje po shfaqemi mirë, po marrim pikë, pavarësisht se mund të merrnim më shumë. Këtë moment të mirë duhet ta tregojmë edhe nesër. Është ndeshje e rëndësishme. Është çelësi i të gjithë objektivit, pas kësaj mbeten vetëm 3 ndeshje.

Duke ditur rëndësinë që ka derbi, mendoj se është pika kyçe e këtij sezoni. Duhet të bëjmë më të mirën, për të arritur aty ku duam, në Europë. Për skuadrën që drejtoj, ne futemi në fushë gjithmonë vetëm për fitore. Derbi i ka të gjitha rezultatet, por ne luajmë vetëm për fitore.

Në aspektin psikologjik jemi mirë. Si në gjendjen fizike dhe në atë psikologjike, skuadra është mirë. E presim derbin të qetë dhe me besim se mund të marrim më të mirën. Emocionet e derbit duken që këtu, duke parë se sa kamera ka.

Tirana favorite? Unë nuk thashë që jemi të favorizuar, nuk mendoj se ka të favorizuar në derbi. Nuk shikohet renditja. Edhe kur skuadrat kanë qenë në pozita ndryshe në renditje, derbi ka qenë i luftuar. Kështu do të jetë edhe nesër.

Ne nuk duhet ta ngarkojmë veten më shumë sesa duhet. Është një ndeshje që vlen 3 pikë. Duhet të jetojmë momentin. Derbit nuk janë të përjetshëm, janë momentalë dhe duhet ta shijojmë momentin”.

Standings provided by SofaScore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit