Shehi: Ndaj Vllaznisë të tregojmë se jemi kampionët. Muçi do të na mungojë

26 Shkurt 2021
11:04
Alfred Lleshi

Pas karantinës disaditore, për shkak të Covid-19, Orges Shehi është kthyer në drejtimin e Tiranës. Ai poi u jep dorën e fundit pqërgatitjeve për klasiken e futbollit shqiptar ndaj Vllaznisë, që do ta luajë nesër në “Loro Boriçi”. Për mediat, duke bërë prognozën e transfertës shkodrane, ish-portieri durrsak nënvizoi:

“Kemi vështirësi edhe për shkak të situatës në të cilën ndodhet e gjithë bota, jo vetëm ne, por edhe prej kartonëve. Me lojtarët që janë të gatshëm, besoj se mund ta përballojmë këtë ndeshje. Po flasim për një ndeshje shumë të rëndësishme, nisur nga kundërshtari që do të kemi përpara, por edhe nga situata jonë, kur kemi nevojë për pikë.

Na mungojnë 2 shtyllat e mbrojtjes, por do të përshtatemi me këto vështirësi, shpresoj t’ia dalim. Objektivat tanë? Janë edhe shumë ndeshje për t’u luajtur, shumë pikë në lojë. Nuk mund të heqim dorë nga objektivat tona. Ne luajmë për t’u rikthyer aty ku duhet dhe e meriton Tirana. Ndeshja e fundit me Teutën na ka lënë një shije jo të mirë, ndaj duhet të rikthejmë imazhin individual dhe ekipor.

Vllaznia? Nesër luajmë ndaj një kundërshtari që ka bërë shumë mirë këtë vit. Duhet të sillemi si kampionët e vendit në fuqi. Duhet të hyjmë me këtë mentalitet në fushë, përballë një kundërshtari që po bën mirë. Kemi objektivat tona, është klasikja e futbollit shqiptar. Motivimi nuk mungon tek asnjë.

Largimi i Muçit? I uroj fat tek ekipi i ri në Poloni. Ai është një lojtar me shumë cilësi, nga më të mirët në Superiore, talenti i futbollit shqiptar. Në futbollin modern, dinamika është shumë e ndryshme. Kjo lëvizja e Muçit është lëvizje e futbollit modern. Sigurisht që do të na mungojë, sepse dihen cilësitë e tij, por duhet të shikojmë përpara, të vijojmë me lojtarët që kemi në dispozicion”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit