Shehi nuk fshihet: Duam finalen e Kupës, japim gjithçka ndaj Teutës

14 Korrik 2020
10:46
Alfred Lleshi
back button

Kukësi ka zhvilluar dje stërvitjen e radhës në kompleksin “Football Republic”, para gjysmëfinales së kthimit të Kupës së Shqipërisë ndaj “djmeve të detit”. Në stërvitje ishin prezentë edhe Vasil Shkurtaj me Erhun Obanor, të cilët pak nga pak po i lënë pas dëmtimet e pësuara në javët e mëparshme. Ekipi verilindor do të grumbullohet sot në qytetin e Durrësit, për të zhvilluar pasdite stërvitjen e fundit në kompleksin “Tropikal”, në qytetin bregdetar. Kujtojmë se sfida me Teutën do të zhvillohet ditën e mërkurë, me start orën 20:45, në stadiumin “Niko Dovana”, pa praninë e tifozëve. Ndeshja e parë është mbyllur në barazim pa gola.

Ndërkohë, trajneri i nënkampionëve të vendit, Orges Shehi, ka bërë një prognozë të asaj që i pret të tijtë në Durrës: “E dimë se çfarë presim nga ndeshja me Teutën, është një gjysmëfinale. Kemi informacion, njohim rezultatin e ndeshjes së parë, pra e dimë se për çfarë shkojmë atje. Është një ndeshje e vështirë, kështu që presim të japim maksimumin tonë, sikurse kemi bërë gjithë këtë periudhë.

Rezultati 0-0 i ndeshjes së parë? Sigurisht, Kupa ka një specifikë të veçantë. Është raund me dy ndeshje. Duke ditur rezultatin e gjysmëfinales së parë, në të dytën e ke të qartë se çfarë duhet të bësh, çfarë duhet të marrësh. Rezultati 0-0 na jep kënaqësinë e të mospësuarit gol në fushën tonë. Gjithçka nis nga zero në Durrës, duhet të japim më të mirën, sepse është e hapur gjithçka.

Skuadra është pak e ngarkuar fizikisht. Pra, mund të ketë pak lodhje te lojtarët, sepse po luajmë çdo tri ditë. Nuk jemi në një periudhë normale, edhe pse analizat e të gjitha i bëjmë sikur jemi në normalitet. Sepse të luash çdo tri ditë në këtë situatë, mendoj që të gjithë futbollistët janë heronj. Do të bëj maksimumin për ta freskuar skuadrën dhe për të arritur maksimumin nesër. Preferencë për kundërshtarin në finale? Jemi të fokusuar vetëm te takimi ynë. Objektivi është që të shkojmë në finale, pak rëndësi ka kush del nga krahu tjetër”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit