Shehi: Nuk na lejohet asnjë hap fals, Josën do ta takoj me përzemërsi

12 Shkurt 2021
12:00
Alfred Lleshi
back button

Kryesfida e javës së 19-të të Superiores është pa dyshim Tirana-Kukësi. Kampionët do të përballen me nënkampionët, me synimin për t’u ngjitur sa më lart në renditje. Fati e do që në stolat respektivë të jenë dy bashkëpunëtorë të ngushtë te Skënderbeu i sukseseve të mëdha, Josa dhe Shehi. I pari si trajner, i dyti si portier dhe kapiten, dikur me kuqebardhët. Sot, trajnerë në stolat respektivë. Në prognozën e sotme për mediat, Shehi do të nënvizonte mes të tjerash:

Nuk dua të merrem me statistika, kemi ndeshje të rëndësishme nesër. Vijmë pas rezultateve pozitive, kështu që do të mundohemi të vijojmë me këtë ecuri. Kundërshtari dihet, ka në përbërje elementë cilësorë. Meriton vlerësim dhe respekt të madh.

Jemi të ndërgjegjshëm që në Kategorinë Superiore nuk ka ndeshje të lehta. Të gjithë kundërshtarët janë të rëndësishëm dhe të vështirë. Nesër nuk është provë për Shehin, është ndeshja e radhës e Tiranës përballë një rivali të fortë. Duam të dalim sa më mirë dhe të jemi brenda objektivave.

Gjendja e Torassës? Akoma nuk është në 100%, por shpresojmë që sot të stërvitet. Patjetër që kemi cilësi në skuadër, por nuk na lejohen hapa fals. Në psikologjinë tonë duam të jemi ekip ofensiv. Kështu do të mundohemi të shprehemi në fushë me të gjithë lojtarët e gatshëm, për të fituar.

Situata e Muçit? Në këtë situatë që është futbolli modern, zërat e merkatos janë prezent. Aq më tepër që Muçi është xhevahir i skuadrës sonë dhe sigurisht që zërat mund ta shpërqendrojnë. Jo më larg se dje kam biseduar me të. Ia përsëris përditë që të jetë i qetë. Nëse nuk ikën tani, do të largohet më vonë. Duhet të jetë i qetë për të dhënë maksimumin. Përballja me Josën? Është kënaqësi të kem përballë profesor Mirelin. Me të kam ndarë shumë momente të bukura dhe arritje të mëdha. Do ta takoj me përzemërsi”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit