Shehi “shkund” bardheblutë: Gabim fatal, po nënvlerësuam Apoloninë

3 Prill 2021
12:35
Alfred Lleshi
back button

Tirana do ta sfidojë nesër fierakët debutues, që po kthehen shpejt andej nga erdhën, në Kategorinë e Parë, sipas të gjitha gjasave. Në kuadrin e javës së 26-të të Superiores, kampionët e vendit në fuqi llogarisin tri pikët e radhës. Megjithatë, për trajnerin Orges Shehi nuk ka vend për nënvlerësim të kundërshtarit. Nëse ndodh, kjo do të ishte fatale:

“Kampionati u ndërpre në një moment të mirë për ne. Kemi pasur disa lojtarë me ekipet kombëtare, vetëm ditët e fundit jemi bashkuar të gjithë. Është një pauzë që na ka shërbyer për të rikuperuar energjitë dhe zhvilluam një ndeshje miqësore, ku iu dhamë minuta lojtarëve që nuk kanë qenë në formacion në ndeshjet e fundit. Nuk ka ndeshje të lehta, sepse bëhen të vështira në fushë.

Apolonia është një kundërshtar që, pavarësisht pozicionit në renditje, meriton vlerësim. Gabojmë rëndë nëse nuk e bëjmë këtë. Skuadra nën drejtimin tim është shprehur mirë, kam parë djem që luftojnë për objektivat, sepse jemi Tirana, me objektiva madhorë.

Këto javë janë pak për të implementuar idetë e çdo trajneri, por jam i kënaqur për atë që lojtarët kanë dhënë në fushë dhe si po i interpretojnë ndeshjet. Jemi të detyruar të bëjmë ndryshime në formacion, sepse na mungojnë dy lojtarë kryesorë, Vangjeli dhe Hoxhallari për shkak të kartonëve. Kam besim se lojtarët që do të luajnë në vend të tyre do ta justifikojnë, do të japin më të mirën e tyre.

Atmosfera ka qenë e mirë, edhe kur nuk kemi fituar. E kam thënë: unë mund t’i humb të gjitha ndeshjet, por nuk mund të humb dhomën e zhveshjes. Atmosfera e mirë na ndihmon për t’u shprehur mirë në ndeshje. Dihet që futbolli është lojë kolektive dhe pa atmosferë të mirë në grup bëhet e vështirë”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit