Shënoi “hat-trick” në Champions, Ferdinand dhe Guardiola e ngrenë në qiell…

23 Tetor 2019
9:18
Alfred Lleshi
back button

Ish-mbrojtësi i Manchester United, Rio Ferdinand, beson se Raheem Sterling është ndër pesë lojtarët më të mirë në botë, tani. 24-vjeçari shënoi “hat-trick” e tij të parë në Ligën e Kampionëve, të martën, në fitoren 5-1 të Manchester City ndaj Atalanta. Sterling, gjithashtu, ka shënuar edhe gjashtë gola në Premier League, këtë sezon, duke e mahnitur Rio Ferdinand me paraqitjen. “Mund të themi shumë lavde për të, – pohoi Ferdinand në “BT Sport”. – Sterling është një lojtar i ri anglez, që ka luajtur shumë ndeshje. Ende po përmirësohet. Ai ka një nuhatje të veçantë si sulmues për të hyrë në zona të caktuara. Për mua është ndër pesë lojtarët më të mirë në botë, tani. Pa dyshim!”

Sulmuesi anglez është rritur shumë nën drejtimin e Pep Guardiolës. Ferninand beson se trajneri spanjoll ka qenë kyç për zhvillimin e Sterling: “Ndonjëherë jeni të bekuar, që ju bie një trajner, nga i cili keni shumë për të mësuar. Pep Guardiola ka merita të mëdha, që e ka trajnuar si duhet këtë lojtar të ri, me potencial të jashtëzakonshëm”. Vetë trajneri spanjoll ishte modest, kur theksoi se sulmuesi është rritur falë potencialit që zotëron: “Meritat shkojnë vetëm për atë. Ai mund të jetë më i mirë, por është i përsosur. Spikat fizikiteti i tij, është i fortë, mund të luajë një ndeshje një ditë. Rigjenerimi i tij është unik. Sterling është një lojtar i jashtëzakonshëm”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit