Shfytyrohet me kombëtaren, Florenzi mbron Immobile: Ai duhet të jetë një hero kombëtar…

15 Tetor 2020
10:04
Alfred Lleshi
back button

Pothuajse një gol për ndeshje me Lazion, 10 gola në 42 paraqitje me Italinë. Mes klubit dhe ekipit kombëtar, Ciro Immobile tregon dy fytyrat e tij. I pamëshirshëm me bardhekaltrit, në telashe me axurrët. Ndoshta është çështje taktike, ndoshta presioni.

Kundër Hollandës, Immobile nuk ishte në gjendje të shënonte, përkundër shumë mundësive që kishte në dispozicion. Një mbrëmje për t’u harruar. Me Italinë ai shënoi vetëm 4 gola në 21 ndeshjet e fundit, duke “agjëruar” në 18 raste. Nën drejtimin Mancini shënoi vetëm 3 gola, dy kundër Armenisë dhe një kundër Finlandës.

Një rendiment i dobët, krejt ndryshe nga ai me Lazio. Me fanellën blu ai shënon një gol çdo 287 minuta, me atë bardhekaltër një gol çdo 118 minuta. Pra, më pak se gjysmën me kombëtaren. Ështe një çështje presioni, sipas partnerit të tij, Alessandro Florenzi, i cili e mbrojti atë pas performancës së keqe kundër Hollandës: “Ciro duhet të jetë një hero kombëtar, një ojtar shumë i dashur. Dhe nëse një ose dy herë nuk shënon, nuk ka pse të jetë problem”.

Edhe trajneri Roberto Mancini, në konferencën për shtyp nuk e bëri dramë situatën e sulmuesit të Lazios, kur ai vesh fanellën blu: “Ndodh, sulmuesit kanë moment të mira dhe të këqija. E rëndësishme është që në ndeshjet e ardhshme duhet të fitojmë, jemi akoma në lojë”. Immobile u kthye në fushë kundër Hollandës, pasi humbi ndeshjen miqësore me Moldavinë dhe ishte në stol për 90 minuta kundër Polonisë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit