Shkaku gjendet te… sezoni i kaluar. Thiago Alcantara tregon “fajtorin” e krizës së Liverpool-it

23 Janar 2023
9:59
Alfred Lleshi
back button

Thiago Alcantara, mesfushori spanjoll i Liverpool-it, pranoi se përpjekja e dështuar e ‘Reds’ për të fituar kurorën e katërfishtë (EFL Cup, FA Cup, Premier League dhe Champions League) sezonin e kaluar po i rëndon këtë sezon.

Në rrugën e tyre drejt kurorës së katërfishtë, Liverpool-i luajti çdo ndeshje të mundshme të sezonit, duke marrë Kupën EFL, duke fituar Fa Cup kundër Chelsea, por duke humbur finalen e Ligës së Kampionëve kundër Real Madridit dhe përfunduar i dyti në Premier League, vetëm një pikë pas Manchester City.

Dy javë më parë, Jurgen Klopp foli tashmë për faktin se ata kishin nënvlerësuar koston e të luajturit për të gjithë titujt sezonin e kaluar dhe Thiago ishte anëtari i parë i skuadrës që miratoi teorinë e trajnerit të tij:

“Nuk ka të bëjë vetëm me aspektet fizike. Është diçka psikologjike, sepse ne ishim shumë pranë fitimit të të gjithë trofeve dhe thjesht i prekëm, por fatkeqësisht nuk është më. Në momente të këqija, ne duhet të jemi bashkë si ekip”.

Pas barazimit 0-0 ndaj Chelsea, të kuqtë zënë vendin e nëntë në Premier League me 29 pikë, 10 pikë prapa vendeve të Ligës së Kampionëve: “Ne shkojmë ndeshje pas ndeshje për të shtuar pikët që na ndihmojnë të jemi sa më lart. Qëllimi ynë është ndeshja e radhës. Nuk mendojmë të jemi në ‘top katërshe’ apo në Ligën e Evropës, por vetëm për ndeshjen e radhës.

Ka një rrugë të gjatë për të bërë në këtë sezon. Ne jemi gjallë në Ligën e Kampionëve dhe në FA Cup. Nuk jemi në pozicionin që duam në Premier League, por jemi ende atje dhe kjo është e mirë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit