Shkatërrimi në “Air Albania Stadium” pas derbit, FSHF i drejtohet policisë

15 Dhjetor 2019
21:41
back button

Pas shfaqjes madhështore në derbin e parë të kryeqytetit të zhvilluar në “Air Albania Stadium”, kanë dalë në skenë edhe efektet anësore, apo dëmet e shkaktuara nga dy tifozeritë. Kështu, sikurse raportohet, drejtori i sigurisë së stadiumit ka dorëzuar tashmë në zyrat e policisë së kryeqytetit relacionin me dëmet e evidentuara.

Referuar relacionit të dorëzuar në polici, rezultojnë 66 stola të shkatërruar plotësisht, 51 në sektorin jugor dhe 15 të tjerë në tribunën “Fatmir Frashëri”. Për dëmtimin e stolave, hedhjen e fishekzjarrëve gjatë zhvillimit të ndeshjes, por edhe për vepra të tjera të ndaluara që janë realizuar nga grupimet e dy tifozerive, FSHF ka dorëzuar në polici relacionet dhe provat që disponon, me kërkesën për vënien para përgjegjësisë të fajtorëve.

 Nga ana e saj, policia e shtetit nëpëmjet një komunikate bën me dije se është ndaluar një person: Më datë 14.12.2019, ora 01:00, u arrestua në flagrancë shtetasi me iniciale A.B, i datëlindjes 22.12.1993, banues në Tiranë, me arsim 12 klasë, sepse më datë 13.12.2019, ora 19:10, në stadiumin “Air Albania”, ka hedhur fishekzjarre, gjatë zhvillimit të ndeshjes Partizani-Tirana”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit