Sh.K.B.Tirana siguron finalet e play off-it, Flamurtari mposht “Tiranën tjetër”

23 Prill 2019
21:07
Telesport
back button

Janë luajtur sot ndeshjet e dyta gjysmëfinale të play off-it në basketboll për femra, të cilat kanë nxjerrë edhe skuadrën e parë finaliste. Ajo është Sh.K.B.Tirana, që në Shkodër fitoi thellë 108-59 ndaj Vllaznisë. Bardheblutë e trajnerit Borova fitojnë kështu 2-0 serinë e ndeshjeve, duke prenotuar një vend në finale.

Ndeshja ishte një formalitet për bardheblutë, që patën epërsi gjatë gjithë kohës në fushë, duke u shkëputur nga perioda në periodë dhe e merituan fitoren. Skuadra e dytë finaliste është ende enigmë. Në Vlorë, Flamurtari vendës mundi 65-49 Sh.B.Tiranën në gjysmëfinalen tjetër, duke barazuar 1-1 serinë e ndeshjeve.

Kjo përballje ishte e një niveli të ulët, ku skuadrat bënë shumë gabime, duke mos dhënë atë që pritej. Duket se faktori fushë ndikon shumë në këtë sfidë, pasi Tirana fiton në kryeqytet dhe Flamurtari në Vlorë. Kjo ishte sfida e tretë mes dy ekipeve brenda një jave, ndërkohë që do të përballen edhe një herë të premten (në Tiranë), për të përcaktuar ekipin e dytë finalist.

Po sot është konfirmuar edhe qëndrimi i Studentit në Grupin A1 sezonin tjetër. Ekipi kryeqytetas mundi 85-54 në Vlorë skuadrën e Apolonisë në play out, duke fituar 2-0 serinë e ndeshjeve. Studenti pat fituar me lehtësi edhe përballjen e parë në kryeqytet, ndaj për të ishte një formalitet kjo ndeshje e dytë. Apolonia do të luajë sezonin tjetër sërish në Grupin A2.

Basketboll – Femra, Gjysmëfinale play off (raundi 1)

Shk.K.B.Tirana – Vllaznia, 88-45

Sh.B.Tirana – Flamurtari, 81-69

Basketboll – Femra, Gjysmëfinale play off (raundi 2)

Vllaznia – Sh.K.B.Tirana, 59-108 (0-2)

Flamurtari – Sh.B.Tirana, 65-49 (1-1)

Basketboll – Femra, play out (raundi 1)

Studenti – Apolonia, 101-67

Basketboll – Femra, play out (raundi 2)

Apolonia – Studenti, 54-85 (0-2)

Lajme të tjera

Lajmet e fundit