Shkëlqeu ndaj Milanit, mediat italiane e quajnë Bajramin “qëndistar të futbollit”

23 Dhjetor 2021
12:31
Alfred Lleshi

Shënoi një gol të shkëlqyer ndaj Milanit, u ndal nga traversa goditja e tij potente, ishte shqetësimi permanent i kuqezinjve në ndeshjen e mbrëmshme. Rezultati ishte i pastër, 4-2 në favor të Milanit, megjithatë paraqitja e shqiptarit dhe Empolit të tij ishte mjaft pozitive.

Mesfushori-sulmues i kombëtares sonë kuqezi ka marrë vlerësime mjaft pozitive nga mediat italiane, që e konsiderojnë “qëndistarin e futbollit”. Ja vlerësimet e disa prej tyre, bashkë me notat për shqiptarin:

Për “Gazzetta dello Sport”, performanca e tij nuk ndalet te traversa që i mohoi barazimin 2-2, por ka edhe më shumë: “Ai zhvillon ndeshje inteligjente në seri dhe gjithmonë arrin të gjejë korridorin për të rrëshqitur në mbrojtjen e kundërshtarit”.

Sipas “Corriere dello Sport”, referuar golit të katërt në Serie A, “shqiptari nxori nga arsenali i vet një perlë që do ta mbajë mend gjatë. Sigurisht, qe i pafat në goditjen që përfundoi në traversë”. “Tuttosport” shkruan se “Bajrami po rritet dukshëm dhe se me këtë performancë ndaj Milanit, me siguri do të jetë njeriu i merkatos në muajt në vijim”.

“Corriere della Sera” nënvizon: “Bajrami e qëndis futbollin, në çdo prekje të topit ka një ide. Talent i vërtetë”.  “PianetaEmpoli” shkruan: “Ndizet herë pas here, tashmë e kemi kuptuar që kjo është një nga karakteristikat e tij”.

Së fundi, TMW vlerëson: “Ai është njeriu tek i cili mbështeten toskanët për të ndërtuar mundësi shënimi nga mesi i fushës e lart. Kur ndizet, gjithmonë krijon epërsi numerike në qendër.”

Ja vlerësimet për Bajramin:

TMW – 7
“Gazzetta dello Sport” – 7
“Corriere dello Sport” – 7
“Tuttosport” – 6.5
“Corriere della Sera” – 7
“PianetaEmpoli” – 6.5

Lajme të tjera

Lajmet e fundit