Shkëmbi: Disfata e rëndë në Shkodër na shkundi, nuk i ndryshon objektivat tanë

23 Tetor 2021
10:24
Alfred Lleshi
back button

Nga Shkodra në Korçë, dy transferta radhazi për blutë dinamovitë. Nëse në “Loro Boriçi” dolën të turpëruar, falë humbjes së thellë 6-3, kërkohet autokritika e shpejtë ndaj Skënderbeut. Bledi Shkëmbi kundër së shkuarës së vet, diçka emocionuese për të nga njëra anë, por edhe ndihmuese në anën tjetër, sepse i njeh “me rrënjë e dhëmballë” kuqebardhët. Objektivat nuk ndryshojnë për “nëndetësen”, por disfata e rëndë në Shkodër duhet të shërbejë si kambanë alarmi. Këtë gjë nënvizoi Shkëmbi në konferencën e sotme për shtyp:

“Ndaj Vllaznisë ishte një humbje që nuk e prisnim, me shumë gola. Motivimi i lojtarëve pas kësaj disfate nuk ishte problem, pasi e dimë se çfarë duhet të bëjmë. Ne kemi një grup lojtarësh që nuk mund t’ia lejojë vetes të gabojë dy herë radhazi. Do të mundohemi të bëjmë një ndeshje të mirë nesër dhe të marrim maksimumin. Skënderbeu është në vendet e fundit, por në fushën e tij dhe me kundërshtarë të fortë jep gjithçka. Pra, mund t’i hapë probleme kujtdo.

Humbja 6-3 ndaj Vllaznisë? Ne e nisëm mirë ndeshjen, kaluam shpejt dhe të parët në avantazh. Më pas shkodranët na barazuan me goditje standarde dhe gjërat nuk shkuan mirë. Lumturohem që rikthehet Sofranac, një mbrojtës shumë i rëndësishëm në zonë. Në këtë mënyrë të gjithë lojtarët do të rikthehen në rolet e tyre përkatëse. Kjo është pjesa më e rëndësishme për mua si trajner, humbja nuk zhbëhet më, por duhet të na shkundë për të mos e humbur përqendrimin.

Ne kishim bërë shumë mirë deri para ndeshjes me Vllazninë, kishim luajtur mirë ndaj të gjithë rivalëve, pa humbur asnjë ndeshje. Jam kundër asaj që të ndryshojmë objektivat pas një humbjeje të rëndë, aq më tepër që jemi vetëm në javën e pestë të kampionatit dhe ka ende shumë garë përpara.

Vazhdojmë të kemi disa probleme dëmtimesh dhe deri nesër do të shohim si do jetë gjendja e dy lojtarëve. Para ndeshjes do të vendosim për formacionin, por nuk do të kemi ndryshime shumë nga ai i këtyre javëve.

Më vjen shumë keq për diçka, sepse në shumicën e rasteve e nisim ndeshjen duke kaluar të parët në avantazh, por më pas e pësojmë. Kemi lënë shumë pikë kështu. Kam folur shumë me futbollistët për këtë problem, besoj se do të rikuperojmë në këtë drejtim”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit