Shkëmbi e tepron, e konsideron finale ndaj Luftëtarit

8 Nëntor 2019
14:02
Alfred Lleshi
back button

Nesër, prej orës 13:30, Teuta do të luajë ndeshjen e javës së 12-të të Superiores. Bledi Shkëmbi dhe të tijtë do të jenë mysafirë në Gjirokastër, duke sfiduar bluzinjtë e vendit të parafundit, me vetëm 6 pikë. Në konferencën e sotme për shtyp, trajneri i “Djemve të Detit” kërkoi përqendrim e vlerësim maksimal, për të mos shtuar hapa të tjerë falsë: “Është një përballje delikate, pasi ekipet e ashtuquajtura të vogla, apo që duken sikur kanë probleme, ta bëjnë edhe më të vështirë lojën. Kemi folur shumë mbi gjërat që duhet të rregullojmë, jemi stërvitur fort dhe shpresoj që nesër të marrim maksimumin. 

Fitorja është detyrim, edhe pse në futboll nuk ka gjëra të sigurta. Duhet të hyjmë në fushë për ta fituar ndeshjen, pa e nënvlerësuar aspak kundërshtarin. Ne kemi vuajtur vetëm me ekipet e vogla këtë sezon? Nuk jam dakord. Teuta ka hasur vështirësi edhe me ekipet e forta. Gjithçka varet nga momenti. Sidoqoftë, duhet të shohim vetëm përpara. Me Luftëtarin na pret një ndeshje e vështirë, mbase një finale. Tri pikët do të na mbanin në rrugën e duhur. Khalid dhe Nikac në krizë goli? Të gjithë duam që të shpërthejnë sulmuesit, por kjo gjë bëhet vetëm në fushën e lojës. 

Shpresoj të jetë ndeshja e duhur për sulmuesit, që të shënojnë. Nuk janë vetëm ata të dy, por edhe të tjerët duhet ta ndihmojnë repartin e sulmit dhe të shënojnë. Nëse do dija ndonjë skemë speciale, që do të shënonim më shumë gola, atëherë do të luajë në atë mënyrë. Duhet të vazhdojmë me idenë tonë, të luajmë futbollin që praktikojmë në stërvitje”.

Standings provided by Sofascore LiveScore

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit