Shkëmbi karikon blutë: Nuk na tremb Laçi, s’na ka mundur as Partizani dhe Teuta

2 Dhjetor 2021
12:44
Alfred Lleshi

Laçi-Dinamo është një tjetër kryesfidë e javës së 11-të të Superiores, e cila do të luhet në stadiumin kurbinas prej orës 13:45. Bledi Shkëmbi, trajneri i bluve kryeqytetas, doli sot në konferencën për shtyp, ku bëri prognozën e transfertës së vështirë me bardhezinjtë, ku do ta kënaqte edhe barazimi:

“Vijmë pas një fitoreje të vështirë më Kastriotin. E kam thënë që na duhen pikë për t’u ngritur, sidomos në aspektin psikologjik. Do të mundohemi të bëjmë ndeshjen më të mirë të mundshme përballë një prej skuadrave më të mira të kampionatit.

Mungesat? Për fat të keq vazhdojmë të kemi probleme me dëmtimet. Na penalizon dalja me karton të kuq e Maliqit. Do të mundohemi të bëjmë më të mirën me lojtarët që kemi. Kam besim te të rinjtë që do t’iu jepet shansi.

Objektivat? Është kampionat shumë i vështirë, por kam besim se do të luftojmë për zonën sipër të renditjes. Në momentin që do të na bashkohen të gjithë lojtarët, jam i bindur se do të jemi më të fortë. Java që vjen do të jetë vendimtare për të ardhmen tonë.

Në fazën e parë, Laçi na mori një pikë në minutën e fundit. Do të shkojmë për të zhvilluar një ndeshje perfekte në fushën e Laçit, për të marrë fitoren. Ndoshta në fund të ndeshjes mund të jemi të kënaqur me barazimin, por kurrsesi nuk shkojmë për një pikë.

Duhet parë në fund se çfarë ke dhënë dhe sa ke merituar. Nuk na tremb Laçi, sepse kemi luajtur dhe nuk na ka mundur. Nuk na ka mundur as Partizani, as Teuta. Shpresojmë që javën tjetër ta na kthehet ndonjë nga lojtarët e dëmtuar, sepse do të luajmë çdo tri ditë”.

Standings provided by SofaScore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit