Shkëmbi: “Kjo Teutë e shpërfytyruar, kështu rrezikojmë Europën!”

3 Prill 2019
19:19
back button

Eliminimi i Teutës nga Kupa e Shqipërisë pas disfatës në transfertë me rezultatin 1-0 përballë Kukësit, si vijim i barazimit në takimin e parë 2-2, ka ndezur sirenën e alarmit për trajnerin e durrsakëve, Bledi Shkëmbi. Tekniku i Teutës është shprehur i dorëzuar, duke apeluar për reagimin e skuadrës së tij për të mos humbur objektivin për një vend në Europë.

“Bëmë një pjesë të parë të mirë por e dyta ishte e dobët, sidomos pas pësimit të golit. Luajtëm shumë dobët, madje duke u shpërfytyruar”. 

“Nuk dukeshim ekip, diçka që na ka ndodhur disa herë. Shpresojmë që të jetë hera e fundit kjo që u pagua me eliminim nga Kupa”.

“Mendoj se nuk është vetëm problem rreshtimi. E para ishte fakti që pas pësimit të golit u fikëm të gjithë, humbëm shumë pasime. Ekipi mu duk se psikologjikisht nuk kishte forcë të vazhdonte e të reagonte”.

“Jam i mendimit se futbolli fillon me çështje individësh dhe përfundon me çështje grupi. Të gjithë kemi gabimet tona, por humbëm përqendrimin dhe grintën”. 

“Dukej sikur prisnin që arbitri të përfundonte ndeshjen menjëherë pas pësimit të golit. Duhen disa individë që të japin atë shkëndijë për ekipin që të reagojë. Sot ishte një pjesë e dytë shumë e shëmtuar”.

“Jam i shqetësuar me këtë formë. Nuk jemi ajo Teutë që kemi qenë. Kjo duket qartë dhe nuk fshihet. Pësojmë shumë gola, edhe naivë, si ai i sotmi. Duhet të rregullojmë këto probleme se pas dy ditësh kemi ndeshjen në Laç”. 

“Shpresojmë të rregullojmë këto gabime, sepse lojtarët janë aty. Nëse do të vazhdojmë kështu atëherë do të kemi probleme për të arritur objektivin, Europën”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit