Shkëmbi: Kukësin e kemi rival direkt, këtë kërkoj nga lojtarët e mi

13 Dhjetor 2019
14:40
Alfred Lleshi
back button

Teuta do të luajë nesër ndaj Kukësit, prej orës 16:00, në “Elbasan Arena”. Një sfidë pretendentësh dhe kryesuesish, që ngërthen interesin e tifozërisë dypalëshe, por jo vetëm. Trajneri i “djemve të detit”, Bledi Shkëmbi, në konferencën e sotme për shtyp, ka bërë prognozën e këtij ballafaqimi, duke zbuluar edhe objektivin e të tijve: “Shpresojmë që të rikthehemi te fitoret radhazi. Pra, pas suksesit ndaj Skënderbeut, synojmë fitoren edhe me Kukësin. Kemi kaluar një moment jo shumë të mirë rezultativ, nuk dua ta quaj negativ. E mira do të ishte t’i kishim fituar edhe disa nga ndeshjet e shkuara. Kemi pasur probleme në sulm, vuajmë në shënimin e golit.

Shpresoj që ai gol i Vilës në minutën e 90-të ndaj Skënderbeut ta ketë prishur tersin që kemi pasur. Nuk duhet të harrojmë që luajmë me një kundërshtar shumë të mirë, që është ndërtuar për titullin kampion. Personalisht, kam shumë besim tek ekipi që drejtoj. Pres të bëjmë një ndeshje të mirë. Në fakt, kemi probleme me dëmtimet, me kartonët; por kjo nuk do të thotë asgjë. Nuk ka justifikime, kemi gati 22 lojtarë, të gjithë stërviten për të luajtur. Mund të duket e çuditshme, por mua më pëlqen kur kemi mungesa, pasi kanë shansin të luajnë ata që nuk iu është dhënë minuta. 

Mendoj se ata që do të luajnë, do të japin maksimumin. Shansi nuk duhet humbur, ndaj i ftoj ta tregojnë veten në fushën e lojës. Do të luajmë për ta fituar ndeshjen, duke e respektuar në maksimum kundërshtarin. Qëllimi ynë është të vazhdojmë ecurinë e rezultateve pozitive. Futbollistët ta mendojnë si një ndeshje radhe, të kenë besimin e duhur për ta mposhtur Kukësin, të kenë dëshirë për të fituar. E përsëris, nuk jemi të kënaqur me pikët që kemi marrë deri tani. 

Personalisht, mendoj se kemi bërë ndeshje shumë të mira dhe meritonim pikë më shumë. Megjithatë, nuk kthehet asgjë mbrapsht. Duhet të punojmë për t’i rikuperuar pikët e lëna rrugës. Kukësi ka cilësi, është ekip i mirëinvestuar. Ndeshjet kundër këtij kundërshtari, por jo vetëm, do të jenë të vështira. Diferenca mes skuadrave është shumë e vogël. Kukësi është edhe rivali ynë. Jemi aty-aty me pikë dhe nuk diskutohet se edhe ata duan ta fitojnë këtë ndeshje”.

Standings provided by Sofascore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit