Shkëmbi: “Ndoshta është fundi i botës!”

14 Prill 2019
21:29
back button

Tërësisht i dorëzuar është shfaqur trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi pas disfatës 1-3 ndaj Tiranës. I pamundur për të justifikuar mungesën e impenjimit të skuadrës së tij, Shkëmbi ndjen të gjithë përgjegjësinë mbi vete.

“Të humbasësh nuk është kurrë fundi i botës, por me mënyrën si e bëjmë ne ndoshta është fundi i botës. Ishte një ndeshje e shëmtuar nga ana jonë. Nuk patëm dëshirën minimale për ta fituar apo për ta luftuar. Duket se ne na ka humbur kjo pjesë”.

“Mendoj se kemi shumë probleme si skuadër në tërësi në të dyja fazat. Kemi shumë futbollistë jashtë forme. Kjo na bën që të vuajmë shumë në fushë dhe më e rëndësishmja është se nuk jemi të gatshëm psikologjikisht për ta fituar ndeshjen”.

“Të ishte futbolli me fjalë, atëherë do të ishin të gjithë kampionë. Nga unë e te futbollistët nuk duhet të flasim, por të flasim në fushë. Problemi psikologjik janë rezultatet negative nga java në javë. Ky është problemi ynë, mungesa e reagimit”.

“Për mos arritjen e objektivave kemi të gjithë penalitete. Personalisht nuk dua të gjej alibi, ndaj konfirmoj edhe një herë se futbollistët veteran në ekip janë modeli më i mirë gjatë të gjithë javës, pavarësisht rezultateve finale në ndeshje”, deklaroi trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit