Shkëmbi “qan” ende gjykimin ndaj Tiranës: Shpresoj mos na penalizojnë edhe nesër ndaj Partizanit

26 Janar 2022
15:13
Alfred Lleshi
back button

Nuk i del e keqja me gjykimin e ndeshjes së fundit ndaj Tiranës, ku humbi 1-0, por s’ka kohë të qahet. Te dera është derbi i radhës, kësaj here ndaj Partizanit, në kuadrin e çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë. Bledi Shkëmbi nuk fshihet, por kërkon maksimumin qysh nesër nga të tijtë, një hap të konsiderueshëm për të shkuar në gjysmëfinale, edhe pse raundi përbëhet nga dy sfida (vajtje-kthim). Në konferencën për shtyp, trajneri i Dinamos u shpreh:

“Kjo është ndeshja e tretë që do të luajmë brenda një jave. Fizikisht e di shumë mirë që nuk do të jemi në 100%, jemi të detyruar që të bëjmë më mirë dhe po mundohemi të rikuperojmë lojtarët. Kupa është e rëndësishme. Edhe kampionatin, edhe Kupën duhet t’i shohim me të njëjtin objektiv, për të shkuar sa më lart dhe fituar.

Në Kupë do të na bënte mirë kualifikimi. Për të shkuar në Europë, fitimi i këtij kompeticioni është rruga më e thjeshtë dhe e shkurtër. Partizani është një kundërshtar shumë i fortë. Nuk mund të thuash për asnjë kundërshtar se do të jetë i thjeshtë apo anasjelltas, por Partizani meriton respekt dhe vlerësim për atë që ka bërë e po bën. Jemi në të njëjtën situatë me Partizanin, duam të kualifikohemi njësoj si ata.

Kjo arrihet duke dhënë maksimumin në ndeshje, duke bërë mirë, duke mos gabuar dhe shfrytëzuar rastet që të shfaqen. Unë jam i bindur se do të bëjmë një performancë të mirë nesër. Do ta kërkojmë kualifikimin që në ndeshjen e parë, do të luajmë për ta fituar ndeshjen me mundësitë që kemi. Janë dy ndeshje që duhen menaxhuar shumë mirë.

Pretendimet për gjykimin ndaj Tiranës? Është hera e parë në karrierën time që shkoj tek arbitrat për të folur, ishte një faull që unë e pashë, sepse ndodhi 2 metra larg meje. Isha i bindur për faullin, kjo ishte arsyeja që shkova tek arbitri.

Kryesori më tha se VAR-i e vendosi në atë mënyrë. Më vjen keq, sepse arbitri gaboi gjatë lojës dhe mund ta kuptojmë, por të gabojnë arbitrat e VAR-it, që janë ulur dhe e shohin një moment me qetësi, që mund të rikthehet disa here, kjo nuk ka shpjegim. Unë e kam thënë që nuk dua të justifikoj as veten dhe as skuadrën.

Në fund ishte një ndeshje që e humbën për shkak të VAR-it. Nuk jam paragjykues nga natyra, por ndeshjen ndaj Tiranës e humbëm prej atyre të VAR-it. Nuk mendoj se do të ndodhë diçka e tillë edhe ndaj Partizanit. Objektivi ynë është që të jemi në lartësinë e duhur dhe të kualifikohemi”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit