Shkëmbi: Sulmuesit s’bënë shumë, duhet të kuptojmë si luhet futbolli!

4 Maj 2019
17:42
Eraldo Harlicaj
back button

Trajneri Bledi Shkëmbi qan pikët e lëna me Luftëtarin. Numri një i stolit po vuan shumë për të fituar ndeshjen, pavarësisht se kanë objektiv Europën. Barazimi i bardhë 0-0 ka irrituar numrin një të stolit që nuk kursen asnjë sulmues. 

Barazimi – "Sot mendoj se nuk funksionoi pjesa e sulmit. Kundërshtari na e bëri të vështirë me mënyrën se si luajti dhe për të zgjidhur situatat duhet të kemi cilësi. Duhej të bënim më mirë dhe nuk e bëmë". 

Dëmtimi i Vajushit  – "Nuk duhej të justifikohem, por kemi punuar gjatë gjithë javës me Vajushin. Për fat të keq u dëmtua dhe nuk është gjë e mirë të ndryshosh një lojtar në minutat e fundit. Luajtëm më mirë, por në fund duhen pikët dhe nuk i morëm". 

Krahu i sulmit – "Progni dhe Hakaj në përgjithësi i bënë mirë detyrat. Këta lojtarët e krahut duan ndihmë të madhe kur duhet të pasohen. Vuajtëm pak dhe vonuam me topin. Disa lojtarë ndoshta nuk e kanë kuptuar se topi shkon më shpejt se ta. Sulmuesit nuk e bënë detyrën si duhet". 

Europa – "Ne nuk kishim menduar se do ta siguronim 4-5 javë para kampionatit. Kemi ende mundësi dhe duhet të fitojmë për të arritur objektivin. Duke parë rezultatet e kundërshtarëve vazhdon të bëhet më e vështirë". 

Ndryshimi i ekipit – "Nëse ka një përgjegjës, ky jam unë! Ata lojtarë që u afruan i kam afruar unë. Nuk është e vërtetë që ka xhelozi. Ne nuk po gjejmë ekuilibrat dhe kemi patur probleme psikologjike. Punojmë mirë dhe stërvitemi mirë, por në fushë nuk po bëjmë atë që bënim. Kemi patur probleme dhe me grupin, pasi kemi patur dëmtime, fatin kundër, apo gabime individuale". 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit