Shokon ish-sulmuesi i Liverpool: 3 vite luftë me depresionin, desha ta braktis futbollin

19 Maj 2020
10:33
Alfred Lleshi
back button

Lëndimet, shanset e humbura, dalja në pension në Uellsin e tij në moshën gati 35-vjeçare… Karriera e Craig Bellamy ka treguar luhatje të mëdha, të kombinuara me zhgënjime që djegin fort. Pas kësaj, duket se ka pasur një shkak mjaft serioz. Duke folur për programin “Off Script” të “Sky Sports”, ish-sulmuesi i Liverpool dhe Manchester City rrëfen gjëra të panjohura, duke zbuluar se cilat ishin problemet e tij personale. Ndër to spikat depresioni, që e kishte pllakosur për 3 vite:

“Është hera e parë që flas për këtë. Kalova në depresion dhe për 3 vite kam marrë trajtim mjekësor. Kam përdorur ilaçe për ta luftuar depresionin. Sigurisht, dëmtimet e shumta që pata në karrierë nuk më kanë ndihmuar në këtë drejtim. Kur luajta te Newcastle, Manchester United më kërkoi, por gjithçka ra poshtë për shkak të tendinitit të rëndë, që më goditi”.

Bellamy mendoi seriozisht për ta lënë futbollin, kur vështirësitë dukej se po e mposhtnin atë, pa një rrugëdalje, që do ta lejonte atë të gjente qetësinë e humbur: “Unë kam qenë 23 vjeç, kur desha ta lë futbollin. Ishte momenti më i keq i jetës sime. Kurrë nuk kisha biseduar me askënd për këto probleme, intimiteti im duhet të mbetet i tillë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit