Short ‘ferri’ për kuqezinjtë e Cungut, ja kundërshtarët e Europianit të ardhshëm

8 Dhjetor 2021
11:37
Alfred Lleshi
back button

Short shumë i vështirë për kombëtaren e Shqipërisë U-19, e cila duhet të sfidojë Belgjikën, Spanjën dhe Rusinë. Mjaftojnë emrat e kundërshtarëve për të kuptuar shanset për kualifikim në Europianin e radhës të kësaj grup-moshe.

Ja njoftimi i faqes zyrtare të FSHF-së: “Skuadra e drejtuar nga Armando Cungu është shortuar në Grupin 7, ku përballë do të ketë Spanjën, Belgjikën dhe Rusinë. Pas konsultimeve mes federatave dhe UEFA-s është vendosur që ndeshjet e eliminatoreve të Grupit 7 të Shqipërisë në Europianin U-19 do të luhen në Belgjikë në datat 21, 24 dhe 27 shtator 2022.

Në bazë të rregullores, dy skuadrat e renditura në vendin e parë të çdo grupi do të avancojnë në “Elite Round” së bashku me skuadrën e tretë më të mirë të eliminatoreve. Shorti përcaktoi 13 grupe me nga 4 skuadra, ndërsa faza finale e turneut do të zhvillohet në Maltë.

Pas hedhjes së shortit, trajneri i Kombëtares shqiptare U-19, Armando Cungu, u shpreh për faqen zyrtare të FSHF-së: “Sigurisht, do të kemi përballë skuadra të një niveli të lartë. Sidoqoftë, ne do të përgatitemi të bëjmë paraqitje sa më të mira dhe të tregojmë vlerat e futbollit shqiptar. Që nesër do të nisim punën për të njohur sa më mirë kundërshtarët dhe t’i analizojmë në detaje. Nëse flasim për objektiva, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, të jemi ndërgjegjshëm për mundësitë që kemi ne.

Ajo që më intereson mua si trajner është të grumbullojmë e të rrisim sa më shumë lojtarë cilësorë që do t’i shërbejnë në të ardhmen Kombëtares A. Ky është objektivi primar, ndërsa objektivi i dytë është marrja e rezultateve pozitive. Nuk do të shkojmë në Belgjikë për turizëm, kjo është e sigurt, por shkojmë për të bërë më të mirën dhe për të marrë rezultate pozitive, pasi në fund të fundit në futboll çdo gjë mund të ndodhë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit