Short “ferri” për Tiranën, ja kundërshtari i “play-off”-it në Ligën e Europës

18 Shtator 2020
14:16
Alfred Lleshi
back button

U hodh sot në Nyon të Zvicrës shorti i “play-off”-it të Ligës së Europës, ku vendi ynë do të përfaqësohet nga Tirana. Bardheblutë kaluan një tur në Champions, pastaj u rrëzuan nga Crvena Zvezda nga ky kompeticion, në betejën e dytë, por kishin të drejtën të vijonin garën në kompeticionin e dytë europian për nga rëndësia. Ata ishin me fat, sepse nuk luajtën në turin e radhës, duke u kualifikuar direkt për në “play-off”.

Pra, e shohin veten një hap larg fazës së grupeve. Për të arritur këtë stacion historik për ta, 25 herë kampionët e Shqipërisë duhet të kalojnë kundërshtarin e radhës, që e mësuan sot nga goglat e shortit. Fjala është për gjigantët e Zvicrës, Young Boys. Në fakt, është kundërshtari më i vështirë i mundshëm, nëse nuk e konsiderojmë më lart Dinamo Zagreb, që mund të dilte po ashtu nga goglat. Tjetër vështirësi përbën fakti se do të luhet në Zvicër, edhe pse pa tifozë.

Ndërkohë, skuadra tjetër shqiptare, Drita e Gjilanit, duhet të sfidojë Legia Varszawa në raundin e radhës, pastaj fituesin e këtij çifti e pret Qarabak FK. Gjilanasit janë të detyruar, ashtu si Tirana, të luajnë në transefrtë, konkretisht në Poloni.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit