Shorti i Ligës së Kombeve, flet Gjimshiti: Objektivat duhet t’i përcaktojmë me kalimin e kohës

20 Dhjetor 2021
14:20
Alfred Lleshi
back button

Kombëtarja shqiptare është njohur tashmë prej disa ditësh me rivalët që do të ketë përballë në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve (Nations League), me ndeshjet që nisin në fillim të muajit qershor. Shqipëria u shortua në Grupi 2 të Ligës B të këtij kompeticioni së bashku me Rusinë, Islandën dhe Izraelin.

Përfaqësuesja shqiptare do të ketë mundësinë të zhvillojë miqësore në muajin mars për t’u përgatitur për turneun e UEFA-s, ndërkohë që rivalët mbeten ende për t’u përcaktuar. Në lidhje me shortin ka folur edhe Berat Gjimshiti, një nga shtyllat e mbrojtjes kuqezi dhe ekipit Kombëtar.

Në prononcimin e tij për “Fshf.org”, mbrojtësi shprehet se rivalët që do të ketë përballë Shqipëria janë të fortë dhe është i bindur se ekipi do të dhurojë ndeshje të bukura ndaj kundërshtarëve të këtij niveli.

Gjithashtu, Gjimshiti thekson se objektivat duhen përcaktuar me kalimin e kohës, teksa shton se kombëtarja shqiptare do të luftojë për çdo pikë në fushë dhe do t’u tregojë të gjithëve se është në rritje të vazhdueshme:

“Për mendimin tim, shorti i Nations League më duket i vështirë për Shqipërinë, por në të njëjtën kohë do të na dhurojë emocione mjaft të bukura sa iu përket sfidave që do të kemi, duke u përballur me këto skuadra që janë shumë të forta.

Sigurisht, objektivat duhet t’i përcaktojmë me kalimin e kohës, por është e rëndësishme që ne të tregojmë se do të luftojmë për çdo pikë në këtë grup dhe të tregojmë vlerat tona, si edhe të konfirmojmë edhe një herë rritjen e kombëtares shqiptaret në kohët e fundit”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit