Shpërthen Fidel Ylli: Liga është vetë Duka. Këto nisma janë politike, pasi erdhën zgjedhjet

15 Shtator 2020
14:16
Alfred Lleshi
back button

Shpërthen Fidel Ylli, deputet i PS, pas refuzimit të Ligës së Futbollit për t’u ulur me të dhe gjetur zgjidhje për futbollin. Kryeministri Edi Rama “mandatoi” atë për të diskutuar dhe negociuar, në kuadrin e 4 kërkesave të klubeve të Superiores, teksa është bojkotuar tashmë edhe nisja e kampionatit të ri kombëtar. Përkrah ministres së financave, ish-sportisti i njohur, prej vitesh ligjvënës në vendin tonë, nuk e ka “kafshuar gjuhën” aspak, teksa deklaroi me zë të fortë, madje:

“Jemi ngarkuar nga kryeministri i Shqipërisë për 4 pikat e Ligës Profesioniste. Sa për dijeni, jo vetëm kryeministri, por edhe kryetari i parlamentit më kanë deleguar mua për të negociuar me këto grupe interesi. Siç e patë edhe dje, në tavolinë me mua ishin të gjithë ata që kanë një eksperiencë të madhe në këtë fushë. Pritëm Ligën Profesioniste të vinte. Sa për dijeni kam një shkresë që i dërgohet kryeministrit dhe kryetarit të parlamentit. Ndër të tjera thuhej se janë gati për t’u takuar. Unë i ftova dhe në moment Edvin Libohova më tha: Jam shumë i lumtur që do të takohemi. Ne bëmë gati vendin e takimit. Më sugjeruan “Air Albania”, por në fund vendosëm që ta bëjmë takimin te Ministria e Financave.

Unë dua të bëj një pyetje: Ku e ka Liga selinë? Sa e ka buxhetin? E ka 0 lekë! Arbitrat kush i cakton? Federata! Politikat e zhvillimit? I cakton Federata! Unë mendoj se duhet të dalë hapur presidenti i FSHF-së bashkë me grupin që ka iniciuar. Të gjitha kërkesat ne i kemi analizuar. Por, s’është normale kjo që t’i bësh presion qeverisë. I bëj thirrje Koço Kokëdhimës, që është miku im, se ka bërë një klub model, sepse sporti në 30 vite është informal. Duhet të ndjekin të gjithë klubet modelin e Korçës. Futbolli prej 30 vitesh është informal. Nuk është normale, që qytetarët të shkojnë në bashki dhe të japin taksa një miliard për një klub të Kategorisë së Dytë. Ne do bëjmë një reformë për sportin.

Nuk e ka kërkuar federata, ata kanë kërkuar ligjin për dhunën. Zgjidhja nuk bëhet nëpër studio, por në tavolinë, të mblidhemi dhe të flasim. Ne sportin e kemi kulturë, e kemi cilësi për të larguar të rinjtë nga droga. Nuk mund të kërkojë sporti lëmosha. Ne kemi bërë investime në sport, sa nuk janë bërë për 100 vite. Kërkesat janë të drejta, i kemi analizuar të gjitha. Ne u goditëm nga pandemia. Për ligjin e sponsporizimit do ulemi të flasim, pasi as unë nuk jam i kënaqur me këtë që është tani.  Pa dashur të ofendoj njeri, njerëzit e sporti nuk lexojnë shumë. Ligji i sportit ka kaluar në kuvend me 90 vota, e ka mbështetur edhe federata. Ky ligj është kushtetuta e sportit. Për këtë duhet të flasim, nëse është ligj europian apo jo. Çfarë janë probleme shtesë për sponsorizimin, duhet të hiqen. Janë bërë fusha, që i ka investuar nga UEFA dhe FIFA. Ne kemi thënë se të gjitha materialet do futen pa taksë dhe pa doganë, për të ndihmuar sportin. I bëmë zyrat e FSHF, pasi kemi si prioritet sportin.

E ndryshuam ligjin tani sepse është mbledhur një grup pune për Shqipërinë në Europë. Një ndeshje nuk e ruan një polici private, por e siguron shteti. Ndeshjet e futbolli duhet t’i bëjmë që të vijnë gra dhe fëmijë. Duhet të identifikohen të gjithë njerëzit problematikë. Ky është bashkëpunimi që ne duhet të bëjmë me FSHF-në. I kërkova Igli Tares të më shpjegojë dhe më tha që nuk ka asnjë lidhje bashkia e Romës me Lazion. Është kthyer në një biznes privat. Bashkia normale që do investojë në sport, në fusha apo gjëra të tjera, por jo te lojtarët si në kohët e Enver Hoxhës.

Edvin Libohova është kryetar i komitetit dhe tashmë është vënë kryetar i Ligës. FSHF-ja e bëri edhe njëherë për t’i hedhur hi syve UEFA-s dhe FIFA-s. Nuk mund të pranoj unë si qytetar që taksat e mia të bëhen rroga për skuadrat. Sa më djeg mua sporti nuk i djeg askujt këtu. Ujë jam këtu për të kontribuar për sportin. Njerëzit më mbështetën dhe më thanë se duhet një zë atje dhe për këtë arsye më zgjodhën mua. Këto nisma janë politike, pasi erdhën zgjedhjet, në prill. Jo! Sporti larg politikës. Sporti duhet të na bashkojë. Çfarë të bëjmë ne, kur këta nuk vijnë të diskutojmë. Sporti nuk shet produkte si bujqësia, nuk sjell të ardhura. Të vijnë të na thonë çfarë duan. Unë jam në krahun e tyre, kam dy ditë që bëj debate me ministrene financave. Nuk bëhet fjalë vetëm për futbollin, por për gjithë sportin, pasi ende nuk ka pista. Na është bërë mendja vetëm futboll, por jo, duhet të shikojmë të gjithë sportin. Jam këtu si njeri i sportit, por edhe i politikës.

Ligji i Sportit ka kaluar në parlament me 90 vota. Armand Duka ka sjellë drejtorin juridik të federatës në grupin e punës që patëm ngritur. Kemi bërë një ligj, që të gjitha fushat e futbollit futen pa doganë dhe pa taksë doganore. Ne kemi thënë që çdo material sportiv, për të gjitha sportet, do të hyjnë pa taksë dhe pa doganë. Ne e bëmë një qendër olimpike, ndërsa kryeministri i dha 10 mijë metra katrorë zyra, sepse e ka prioritet. Kryeministri ua bëri prapë qejfin. Sporti dhe futbolli ndërrojnë cilësinë e jetës, ndaj do të bëjmë 5 pallate të tjera sporti. Kjo është politika e qeverisë sonë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit