Shqipëria ka mposhtur 2-0 Armeninë në miqësore dhe ka arritur të marrë fitoren e parë në këtë vit kalendarik. Protagonistët në takimin e luajtur në Ari Albania kanë qenë Skuka dhe Asllani, të cilët kanë shënuar golat e tyre të parë me Kombëtaren.
Goli që ka zhbllokuar ndeshjen ka ardhur në minutën e 28-të të sfidës dhe është realizuar nga sulmuesi 24-vjeçar i Partizanit, Skuka, i cili ka finalizuar në mënyrën e duhur një aksion perfekt.
GOLI I SKUKES – VIDEO
Takimi mund të ishte zhbllokuar më herët nëse arbitri do të kishte akorduar një penallti në favor të Skukës pas një faulli të pësuar në zonën e rreptësisë. Megjithatë, gjyqtari nuk ka qenë dakord as pas ndërhyrjes së VAR.
Në krahasim me miqësoren e luajtur kundër Italisë tri ditë më parë, bie në sy një mungesë e theksuar e tifozëve në mbështetje të kuqezinjve, me stadiumin që është pothuajse i boshatisur.
RASTI I PENALLTISE – VIDEO
Avantazhi i skuadrës së Reja-s mund të ishte dyfishuar në fillimin e pjesës së dytë. Skuka ka përfituar nga një gafë nga mbrojtja mike dhe ka dalë i vetëm me portierin, por e ka dërguar topin jashtë në mënyrë të pabesueshme.
RASTI I HUMBUR NGA SKUKA – VIDEO
Gjithsesi, kuqezinjtë kanë arritur të gjejnë rrugën e golit pak minuta më vonë. Kristjan Asllani, në fakt, është treguar i saktë nga pika e bardhë në minutën e 63-të dhe ka çuar shifrat në 2-0.
GOLI I ASLLANIT – VIDEO