Shqipëria më pranë “final four”, mposht sërish Maqedoninë dhe ngjitet e dyta në grup

4 Qershor 2022
21:57
Telesport
back button

Kombëtarja e meshkujve në volejboll fitoi mbrëmjen e sotme 3-1 ndaj Maqedonisë së Veriut, duke u ngjitur në vendin e dytë në Grupin B të Ligës së Argjendtë. Ndeshja e luajtur në Tiranë (në sallën e lojërave në Farkë), u komandua e fitua me meritë nga kuqezinjtë e trajnerit Jani Melka, që mposhtën dy herë brenda pak ditësh kombëtaren e vendit fqinj.

Shqipëria e nis mirë ndeshjen, duke fituar 25-20 setin e parë, por miqtë kundërpërgjigjen, duke fituar po 25-20 setin e dytë dhe barazojnë shifrat e seteve 1-1. Më pas ndeshja është tërësisht nën komandën e kombëtares shqiptare, që ka epërsi në fushë, duke fituar 25-16 setin e tretë dhe 25-22 setin e katërt si dhe krejt takimin 3-1.

Fitore e rëndësishme për Shqipërinë, që synon një vend në “final four”, duke lënë pas Maqedoninë dhe Bosnjën. Kjo e fundit u mund sot 3-1 në fushën e saj nga Rumania, që udhëheq renditjen me 12 pikë të plota pas katër ndeshjes. Shqipëria, pas katër ndeshjesh në grup, ka dy fitore dhe dy humbje. Sfida e radhës sërish në Tiranë, ndaj Bosnjës më 8 qershor.

Liga e Argjendit-Grupi B

24 maj, Shqipëri-Rumani, 1-3

28 maj, Bosnjë H.-Shqipëri, 3-2

1 qershor, Maqedoni V.- Shqipëri, 1-3

4 qershor, Shqipëri – Maqedoni V., 3-1

8 qershor, Shqipëri – Bosnjë H., 18:00

12 qershor, Rumani – Shqipëri, 17:00

Lajme të tjera

Lajmet e fundit