Shqipëria mposht Qipron, fitore me poker për vajzat kuqezi

27 Nëntor 2020
21:22
Eraldo Harlicaj
back button

Kombëtarja shqiptare e femrave ka arritur ditën e sotme një fitore të rëndësishme 4-0 ndaj Qipros, falë golave të Jasharit, Doçit, Gjinit dhe Maksutit. Në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Loro Boriçi” të qytetit të Shkodrës, vajzat kuqezi kanë dominuar bindshëm mbi kundërshtarin duke siguruar në këtë mënyrë fitoren e dytë në fushatën e eliminatoreve për Kampionatin Euro 2022.

Pjesa e parë ka qënë e gjitha në dominimin e vajzave që në këtë ndeshje janë drejtuar nga Dritan Babamusta, për shkak të mungesës së trajnerit Armir Grima, i cili rezultoi pozitiv në testet e fundit për Covid-19. Pas disa rasteve dhe epërsisë territoriale, vjen goli i Suada Jasharit në minutën e 18-të. Skuadra ka kërkuar me ngulm dhe golin e dytë që do ti jepte siguri por mbyllet gjithçka me perlën e Jasharit, e cila aktivizohet në kampionatin e Kosovës me Mitrovicën.

Fraksioni i dytë nis vrullshëm për skuadrën tonë që është dominuese dhe kërkon me ngulm golin e dytë që do ti jepte më shumë siguri. Në minutën e 80-të Megi Doci ka realizuar me saktësi një penallti, Shqipëri 2-0 Qipro. Vajzat e kombëtares nuk janë ndalur me kaq pasi kanë shënuar sërish në minuën e 87-të me anë të Gjinit, Shqipëri 3-0 Qipro. Në kohën shtesë ka gjetur edhe Maksuti rrjetën e portës kundërshtare, duke e mbyllur këtë sfidë me rezultatin e thellë Shqipëri 4-0 Qipro. Të martën, në datë 1 Dhjetor, Shqipëria do të luajë ndeshjen e fundit eliminatore për Euro2022 ndaj Portugalisë në transfertë.

Shqipëria zbriti në fushën e lojës me këtë formacion: Rexhepi, Elezaj, Rrahmani(C), Maliqi, Jashari (’62 Levanaj), Bajramaj (’83 Maksuti), Krasniqi (’62 Curraj), Doçi, Hilaj, Gjini, Franja.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit