Shqipëria siguron medalje në Europianin e mundjes, Dudaev shkon në finalen e peshës 65kg

16 Shkurt 2024
18:46
Telesport
back button

Mundësi kuqezi Islam Dudaev është kualifikuar sot në finalen e peshës 65kg në stilin e lirë, në Europianin e Mundjes që po zhvillohet në Bukuresht të Rumanisë. Dudaev i ka fituar të gjitha duelet e zhvilluara deri më tani dhe nesër do të duelojë për medaljen e artë ndaj rusit Gadzhimurad Rashidov (në këtë turne garon si mundës neutral).

Në sfidën e parë në këtë Europian, atë kualifikuese, mundësi kuqezi fitoi 6-3 ndaj turkut Abdullah Toprak. Në fazën tjetër, atë të 1/8-ave, Dudaev mposhti me 8-1 mundësin rumun Stafan Ionut Coman, duke shkuar në çerekfinale, ku sërish nuk ndalet.

Në këtë sfidë, mundësi me origjinë ruse por me nënshtetësi shqiptare, mposhti 4-0 francezin Arsam Erzouev, duke dominuar në tapet. Dudaev s’ndalet këtu dhe arrin të bëjë një tjetër paraqitje të shkëlqyer, duke mundur 3-1 në gjysmëfinale rivalin nga Azerbajxhani, Ali Rahuimzada, duke siguruar finalen e madhe të peshës 65kg në Europian.

Finalja e madhe e kësaj peshe ndaj Rashidov do të zhvillohet të shtunën në mbrëmje, me Dudaev që ka siguruar të paktën medaljen e argjendtë. Ndërkohë që, po nesër do të ngjiten në tapet edhe mundësit Zelimkhan Abakarov (pesha 61kg) dhe Chermen Valiev, në peshën 74kg.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit