Shqipëri-Francë, “sfida e pamundur”! Janë zhdukur 8 mijë bileta

6 Nëntor 2019
16:06
back button

Në pritje që UEFA të hapë “dritën jeshile”, shqiptarët janë dyndur në dyqanin zyrtar të Federatës Shqiptare të Futbollit për të siguruar një biletë për sfidën Shqipëri-Francë (17 nëntor, ora 20:45) që përkon me përurimin e stadiumit të ri, modern dhe luksoz të kryeqytetit, “Arena Kombëtare”.

Blerja “online”, por edhe fizike që deri tani kanë prodhuar më shumë kaos se sa zgjidhje. Jo vetëm kaq, por adresa zyrtare e shitjes së biletave “online” është mbyllur për Shqipëri-Francë dhe ka mbetur hapur vetëm ajo Shqipëri-Andorrë (aty ku interesi është thuajse i barabartë me zero).

E ndërsa fillimisht gjithçka po procedonte siç duhej, erdhi bllokimi! “Më falni, por bileta nuk ka më në sektorët pas porte!”, ka qenë komunikimi i shitëses në dyqanin zyrtar. “Po tribuna karshi, pra e madhja (sektori portokalli)?!”. Një pyetje që gjen një përgjigje të madhe: “Nuk është i hapur!”.

Pas strategjisë së blerjes në paketë (Andorra-Francë), tashmë biletat janë zhdukur si me magji. Institucionet kryesore në vend kanë siguruar një numër të madh biletash (nga AlbStar te Vodafone, Eurosig e kështu me radhë), ndërsa një pjesë e mirë e deputetëve gjithashtu kanë ushtruar presion që të mos humbasin reklamën më të bukur dhe më prestigjoze…

Tifozët qëndrojnë në radhë në dyqan, por zgjidhje nuk ka! Dikur ishte tregu i zi përpara “Qemal Stafa”, por tani nuk duket as ai! Ku avulluan thuajse 21 mijë bileta (22 mijë vendësh është stadiumi, por 1 mijë vende janë shkurtar, për shkak se do të vendosen kamerat dhe sidomos për arsye të tjera teknike). E ndërsa tribuna VIP nuk doli aspak në shitje (do të akomodohen shumë figura të rëndësishme të futbollit, legjenda, ish-lojtarë kuqezi), ftesat kanë arritur një numër thuajse 1 mijë.

Edhe tribunat më të lehta dhe të disponueshme për t’u blerë, ato pas porte, janë shitur si shkollë nate, një ditë po, një ditë jo… Tifogrupi TKZ ka prenotuar 900 bileta, ndërkohë. Biletat me 50, 40 dhe 30 mijë lekë të vjetra, në sektorin E, pra tribuna e madhe karshi me këndet, janë misteri më i madh. Të gjitha të shitura, të gjitha të mbaruara! Po flasim për të paktën 8 mijë vende dhe jo pak!

Lajme të tjera

Lajmet e fundit