Shqiptarë, miq, por gjithmonë rivalë; Berisha: Strakoshën e kam si vëlla!

14 Shtator 2019
13:09
Alfred Lleshi
back button

“Doreza” e parë e sfidës u hodh në Shqipëri. Tani është një tjetër gati, në “Ferrara”. Strakosha rigjen Etrit Berishën… Një mijë kryqëzime dhe një betejë e pafund. E përzuri nga Lazio, herën e fundit edhe nga kombëtarja; tani Thomas dëshiron ta mundë edhe si kundërshtar të drejtpërdrejtë Etritin, në sfidën e kësaj fundjave të Serie A, Spal-Lazio. Që nga marsi 2017, Strakosha nuk është larguar nga porta bardhekaltër dy herë me radhë. Ai nuk pësoi gol në javën e parë kundër Sampdoria, ndërsa u ndëshkua nga një penallti në derbin kundër Romës. 

Në verë i kishte shqetësuar të gjithë për përsëritjen e një problemi të vjetër në shpinë. Sidoqoftë, portieri shqiptar i bardhekaltërve e ngriti kokën me nxitim, pati sukses edhe një herë. Në pak ditë do të mbushen saktësisht tri vite, që nga dita kur Strakosha debutoi me Lazio. Ishte 20 shtatori 2016. Thomas bëri debutimin e tij në “San Siro”, në vend të Marchetti, kundër Milanit, duke mos lënë një përshtypje të madhe. Por, ishte fillimi i një ngjitjeje të gjatë që, nga 28 janari nuk do ta largonte kurrë nga porta e kryeqytetasve. Ai u bë numri një i Lazios në të njëjtin vit në të cilin Berisha u detyrua të emigrojë tek Atalanta për të luajtur, ironikisht. 

Përtej vetvetes, Strakosha duhet të falënderojë Etritin, që ia la të lirë rrugën. Pak vite më parë, në Serie B, portieri i datëlindjes 1995 ishte në stol, te Salernitana. Lazio e ktheu atë, por është e mahnitshme sesi fati i buzëqesh gjithmonë Strakoshës. Ai tashmë i ka rritur paraqitjet me bardhekaltrit (128 ndeshje), karshi 60 ndeshjeve të Berishës, po me këtë fanellë, në tri vite. Tani, Thomas synon të rrëmbejë edhe portën e Shqipërisë. Aty nuk i kishte mirë punët me trajnerin Panucci, që e përjashtoi nga dy kualifikueset e “Euro 2020”, sepse kërkoi të paraqitej me vonesë në grumbullimin kuqezi. 

Dhe të mendosh, sidoqoftë, se Etriti kishte qenë numri një i Edy Reja në Bergamo. Tani edhe trajneri i ri i Shqipërisë ka zgjedhur Thomas titullar në ndeshjet kualifikuese kundër Francës dhe Islandës. Strakosha i thotë faleminderit, por në moshën 30-vjeçare, Berisha nuk duket se vuan nga zilia: “Thomas është e ardhmja dhe ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë. Unë e konsideroj atë si vëllain e vogël”. Nesër, megjithatë, nuk do të ketë hapësirë për ndonjë thirrje zemre, gjithashtu, sepse Etriti ka bërë gjithçka për t’u kthyer dhe rikuperuar nga një shqetësim muskulor.
Shkruan “Il Messaggero”

Lajme të tjera

Lajmet e fundit