Shqiptari i pabesueshëm, futbollisti që lë pas Messi, Ronaldo dhe Neymar

30 Mars 2020
11:25
Alfred Lleshi
back button

Të tre këta futbollistë janë yje. Plot klas, trofe, gola, talente të lindur. Të mëdhenj. Ata shënojnë, driblojnë, fitojnë më shumë se kushdo tjetër. Por, ata janë gjithashtu më të rrezikuarit nga lëndimet serioze, duke pasur parasysh markimin që u bëhet nga kundërshtarët. Sasia e faulleve të ashpër, sparkatave, ndërhyrjeve nga mbrapa që duhet të përballojnë është e konsiderueshme. Lojtarë si Neymar, Cristiano Ronaldo, Messi kryesojnë dhjetëshen më të mirë të lojtarëve që bërtasin më shumë, pasi kanë marrë goditje (taka) në këmbë, madje edhe në gjoks. Midis tyre është edhe një shqiptar, i mësuar të luftojë që në moshë të re për shpëtim e mbijetesë, pa vëmendjen e të tjerëve ndaj tij: Përparim Hetemaj.

Futbollisti i kombëtares finlandeze (vendit ku emigroi për t’i mbijetuar luftës në Kosovë) është një nga ata që përfaqëson Serie A në dekadën e dytë të mijëvjeçarit të ri, që sapo ka kaluar. Pa u lavdëruar kurrë. Nuk shënon shumë, nuk siguron asiste në sasi “industriale”, por është gjithmonë në dispozicion të skuadrës, kudo në statistika e të dhëna të lojës së futbollit. Çfarë nuk e prisni, në një aspekt krahasohet me shifrat e kampionëve të shkëlqyeshëm, si ata të tre që përmendëm më lart. Pas podiumit të ndritshëm të “Topave të Artë”, mijëra golave të shënuar prej tyre, është ai. Udhëheqësi i padukshëm, i cili numëron më shumë faulla të pësuar.

Numrat e thonë këtë, mbi të gjitha ato që fotografojnë realitetin. Hetemaj arriti në Itali në vitin 2010, pasi kishte udhëtuar pak për në Europë. Ai u largua nga Finlanda, zemra nordike, zemra e Europës Lindore. Kosovar në shpirt, një vend që nuk e ka jetuar kurrë plotësisht. Një lojtar që vrapon nga porta në portë, por që kurrë nuk tregon lodhje e zhgënjim në fytyrë. Një luftëtar që s’i shmanget asnjë përplasjeje në fushë, ashtu si në jetë.

“Fëmijëria ishte e vështirë. Babi u zhvendos si fillim në Kroaci. Pastaj, shkuam në Finlandë. Ne e prekëm luftën në Kosovë, por nuk e jetuam atë. Babi ishte tashmë i sëmurë dhe nuk po punonte më. Ne shkuam në Olou, në një qendër pritjeje. Pastaj në Helsinki, ku kishte lehtësira më të shumta shëndetësore për ta trajtuar babin, që vdiq në vitin 2010, vetëm 54 vjeç”, – kujton Hetemaj.

Ai nuk e kursen asnjëherë veten, i vetëdijshëm se në fushë, si në jetë, gjithçka mund të ndryshojë në një çast. Kurrë nuk e tërheq këmbën në një dyluftim, kafshon dhëmbët në ndërhyrjet e panumërta e të ashpra, pa u ndalur. Nga Olou në Brescia, pra në Verona. Nga qendra e pritjes tek një e dhënë, që e sheh atë vetëm pas Hazard. E kaluara ka kaluar, por e ka jetuar atë.

“Si jetohet në një qendër pritjeje? Natyrisht, nuk është e lehtë, por një fëmijë e ndjen më pak, sepse luan. Pa dyshim që është më e ndërlikuar për prindërit, për njerëzit e moshuar. Jetoni shumë afër, nuk ka intimitet”, – sqaron Përparimi.

Lojtarët me të cilët përballet në kampionat, në Serie A më përpara dhe tani në Serie B, te Benevento, nuk kanë “intimitet”. Këmbët e tij janë vazhdimisht në rrezik. Më shumë se Messi, Neymar, Cristiano Ronaldo.

E pabesueshme, por jo për ata që kanë studiuar lëvizjet e tij nga viti 2010 deri më sot, numrin e faullave kundër. Vetëm Hazard, në ligat më të mira europiane, në dhjetë vitet e fundit, ka pësuar më shumë faulla se ai. Pas tij mbeten kampionët e mëdhenj në këtë drejtim, të cilët zbehen para numrave të Hetemaj, i gjendur kudo. Nga grupi i “superfuqive” ai zgjodhi atë të kudogjendësisë.

1035 faulla të pësuar nga Hazard, mbreti i mbretërve në këtë drejtim, te 797 faulla të Hetemaj, i dyti në këtë klasifikim. Për të kuptuar se sa i fortë është në dyluftime, sa e vështirë është ta ndalosh atë, duhet të pyesësh qindra kundërshtarë, që duhej t’ia vinin këmbën në mes për të mos lejuar që të largohej si një tren. Gjithmonë, jashtë vëmendjes, nëse nuk do të ishte për këto numra, që bëjnë xhiron e globit.

Në kohën e karantinës, të tilla llogari bëhen. Messi vuan më shumë faulla se Hetemaj? Jo, vetëm 724 të tillë. Cristiano Ronaldo? As ai jo, vetëm 643 faulla. Po Neymar? Jo dhe jo, vetëm 656 faulla. Dhe kështu mund të vazhdojmë për një kohë të pacaktuar, derisa në horizont të shfaqen Alexis Sanchez, Lewandowski, Kroos, Mbappé, Suarez, Isco. Të gjithë pas luftëtarit shqiptar, që e kuptoi mesazhine mbijetesës që fëmijë: duhet të luftosh, të vraposh, të sfidosh, të përplasesh që të jetosh! Një statistikë e jashtëzakonshme, përtej çdo futbollisti të madh. Përjashtimi i Hazard është vetëm ai që konfirmon rregullin.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit