“Shqyhen portat” në Laç, fitojnë bindshëm Vllaznia dhe Tirana

11 Shtator 2021
15:50
Alfred Lleshi
back button

Kampionati kombëtar i Kategorisë Superiore startoi dje me ndeshjen Partizani-Teuta, e cila përfundoi me një gol të vetëm të kampionëve në fuqi. Në dy ndeshjet e tjera të ditës së sotme, situata ka qenë krejt tjetër. “Festival” golash në Tiranë dhe Laç. Bardheblutë kanë “masakruar” Skënderbeun në “Selman Stermasi”, duke i shënuar 4 herë.

Autorë të golave ishin: Behiraçe 4′, Ngo 59′, 73′, Limaj 69′. Golat e nderit për korçarët i realizoi Zhan Viktor në minutën e 6-të, duke barazuar përkohësisht rezultatin 1-1, si dhe Mensah në limitin e kohës së rregullt. Pra, rezultati final ishte 4-2 për Tiranën. Vlen të theksohet se portën e Tiranës e mbronte 41-vjeçari Ilion Lika.

Në derbin verior, mes Laçit dhe Vllaznisë janë “çarë rrjetat” fare. Plot 8 gola të shënuar, dëshmojnë për një sfidë spektakolare, tejet sulmuese. Kuqeblutë e kanë parë veten në avantazhin e dyfishtë në pjesën e parë, por pastaj janë befasuar nga regimi i kurbinasve, që barazuan me goditje të shkëlqyera nga distanca. Pjesa e dytë ishte po kaq e bukur, me gola të tjerë në të dyja portat respektive.

Në fund, skuadra kuqeblu ka triumfuar me rezultatin 5-3, duke prishur një tabu, sepse e tillë ishte fusha e Laçit për ta. Start mjaft pozitiv për Vllazninë e Thomas Brdaric, që ndiqej në këtë transfertë nga një numër i konsiderueshëm tifozësh. Sa për kronikë, golat u shënuan: Zarubica 35′, 39, Lushkja 45+1′ / Latifi 11′, Da Silva 25′, Aralica 41′, Gurishta 48′, Kaina 96’.

Dy ndeshjet e fundit të javës së pare të Superiores do të luhen nesër, prej orës 13:45, mes Egnatias e Kukësit, si dhe Kastriotit e Dinamos.

Standings provided by SofaScore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit