Shtanget Paris Saint-Germain, vjen zyrtarizimi për Kylian Mbappe

2 Shkurt 2023
17:41
Denis Hakanaj
back button

Nata e kaluar ka qenë një “horror” për sulmuesin francez Kylian Mbappe, që pasi humbi një penallti u detyrua të lërë fushën e lojës, i dëmtuar. Një dëmtim që vjen në një moment vendimtar të sezonit, pasi PSG përgatitet për ndeshjen e Champions League ndaj Bayern Munich.

Sulmuesi francez, duke folur për “Canal Plus”, ka sqaruar dëmtimin e pësuar: “Gjithçka ndodhi në një moment që vendosa këmbën në tokë. Kam shumë dhimbje, nuk di se çfarë të them tjetër”, kanë qenë fjalët e Mbappe, që kur është larguar nga stadiumi, çalonte.

Ndërsa trajneri Christophe Galtier, është mundur të ruajë qetësinë, duke thënë: “Mbappe mori një goditje në gju, në pjesën pas kofshës. Të shohim se për çfarë dëmtimi bëhet fjalë. Ndërsa dëmtimi i Sergio Ramos është diçka e lehtë, do të kalojë shpejt”.

Megjithatë, tani ka ardhur konfirmimi i padëshiruar për Paris Saint-Germain: Kylian Mbappe do të mungojë në sfidën e parë kundër Bayern Munich për shkak dëmtimi.

Buletini mjekësor i klubit francez ka bërë të ditur se sulmuesi ka pësuar një dëmtim në kofshën e djathtë. Koha e rikuperimit është vlerësuar të jetë tri javë.

Për sa i takon Sergio Ramos, i cili ka dalë gjithashtu para kohe gjatë ndeshjes së luajtur të mërkurën kundër Montepellier, do të duhet të bëhen teste të tjera.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit