Shtyhet debutimi i Vajushit me Teutën, ka probleme me gjurin

15 Shkurt 2019
9:23
Alfred Lleshi
back button

Pritej me shumë interes debutimi i Armando Vajushit me Teutën, pikërisht ditën e sotme, në supersfidën e javës së 22-të të Superiores. Madje, më shumë se kaq, trajneri Shkëmbi llogariste ndonjë gol nga këmbët e tij, kundër Kukësit, ku fitorja është detyrim për të dyja palët. Sidoqoftë, asnjëra nuk do të ndodhë. 

Sulmuesi shkodran nuk është gati për të zbritur në fushën e blertë dhe për t’iu rikthyer futbollit shqiptar pas 7 vitesh. Burime nga stafi mjekësor i “djemve të detit” bëjnë me dije se Vajushi ka një problem në gju, çka e ka penguar të stërvitet rregullisht. Dyshohet se gjuri i ka mbledhur ujë, ndaj nevojitet një kontroll specifik mjekësor për të diagnostikuar gjithçka. 

Shpresat e trajnerit Shkëmbi janë që shkodrani të mund të bëhet gati për ndeshjen e ardhshme, ndërsa debutimi është shtyrë. Shqetësime ka pasur edhe Uendi Vecaj, sulmuesi tjetër shkodran, por lajmi i mirë për durrsakët është gatishmëria për të luajtur e Bushic. Kroati erdhi merkaton e dimrit te Teuta dhe pritet kontributi i tij, duke nisur ndaj verilindorëve.   

Lajme të tjera

Lajmet e fundit