Shumë zhurmë për asgjë, Kukësi katandiset me 15 lojtarë!

6 Korrik 2019
13:35
back button

Triumfi në Kupën e Shqipërisë dhe vendi i dytë në kampionat ishin një pikënisje e mirë për Kukësin e sezonit të ri, me verilindorët që premtuan përforcime serioze në verë, për të tentuar kalimin e turit të parë në Europa League dhe më pas për t'u përqendruar totalisht te gara për titull.

Megjithatë, vera deri tani ka pasur shumë fjalë dhe pak vepra, sepse trajneri Ernest Gjoka deri tani ka marrë shumë pak lojtarë në merkato, ndryshe nga sa mendohej.

Vetëm porta dhe mbrojtja janë repart të kompletuar, ndërsa në repartet e tjera situata është shumë shqetësuese. Porta është në duar të sigurta me Frashërin dhe Avdylin, pas afrimit të ish-portierit të Kamzës.

Cuculi, Teqja, Shameti dhe Lulaj garantojnë qendrën e mbrojtjes, Kitanovski është përforcim cilësor në krahun e djathtë me Maliqin si alternativë kur të kthehet nga një dëmtim i pësuar në prill dhe Rrumbullaku e Musta mbulojnë më së miri krahun e majtë, por aty Rrumbullaku do të largohet pas kupave të Europës.

Mesfusha dhe sulmi janë repartet që mbajnë në ankth Gjokën, sepse Musolli e Limaj janë dy mesfushorët e vetëm në qendër, Rroca do të veprojë si sulmues i dytë nga halli, Çyrbja, Ethemi e Valdet Rama mbeten alternativa në krahë, me Mustën që do të improvizohet mesfushor nëse nevojitet. Çyrbja e Valdet Rama pas kupave të Europës do të largohen, ndaj sërish merkatoja do të ndizet.

Sulmi është katastrofë: ka mbetur vetëm Shkurtaj, i cili do të mbajë peshën e një reparti ku afrimi i vetëm është i riu Çema. Largimi i Reginaldos ka lënë një gropë të madhe dhe këtë verë klubi ka kërkuar pa fund në treg për emra cilësorë, por herë për kërkesat e larta të lojtarëve të kontaktuar e herë për hezitim të presidentit Gjici, asnjë nuk është afruar, pa harruar që shumë emra të ofruar nuk kanë qenë cilësorë.

Me pak fjalë, me përjashtim të portierëve, Kukësi ka vetëm 14-15 futbollistë realisht, gati për të luajtur dhe për të mbajtur peshë në ekip. Nëse ndokush dëmtohet, sidomos në qendër të mesfushës dhe në sulm, atëherë mbetet të luajnë disa nga të rinjtë e klubit. Aspak serioze për një ndër 2-3 klubet më të fuqishëm në Shqipëri!

Lajme të tjera

Lajmet e fundit