Si Shaqiri tek Inter? Xhaka zbulon të ardhmen me Arsenal

10 Qershor 2019
19:41

Ylli i Arsenal, Granit Xhaka ka folur pasditen e të hënës në lidhje me të ardhmen e tij në Londrën veriore, nxitur edhe nga spekullimet e shumta në lidhje me një transferim të mundshëm të tij te Inter në Seria A të Italisë.

Mesfushori me kombësi shqiptare që përfaqëson Zvicrën, Xhaka ka luajtur një rol kryesor te Arsenal në sezonin e sapo përfunduar. Futbollisti 26-vjeçar ka regjistruar një total prej 39 aktivizimes në të gjitha kompeticionet sezonale, duke qenë kështu mesfushori me më shumë paraqitje te “Topçinjtë”.

Ndonëse një prej më të besuarve nën drejtimin e Unai Emery, Xhaka ka dështuar në misionin për të shkëlqyer gjatë fushatës së fundit futbollistike. Mbreslënës në volum loje dhe kontroll të topit, ish-futbollisti i Borussia Monchengladbach, ka lënë më shumë gjurmë me performancën e tij të padisiplinuar, mungesë përqendrimi dhe vendimmarrje të dobët.

Si rezultat, shqiptari është kontestuar vazhdimisht nga tifozeria e “Topçinjve”. Për këtë arsye, aludimet e spekullimet mbi një transferim të mundshëm të ish-futbollistit të Basel për te Inter kanë qenë mëse të besueshme.

Gjigantët e Serie A mësohet të kenë shfaqur interes për të siguruar nënshkrimin e Xhakës, me alibinë se difektet e futbollsitit të përfaqësueses zvicerane do të fshihen lehtësisht nën lojën më shumë taktike dhe më pak fizike në Itali. Madje, sipas disa mediave, zikaltërit kanë qenë shumë pranë konkretizimit të marrëveshjes me Arsenal.

Spekullime këto për të cilat vetë Xhaka deklaroi: “Unë nuk di që të kem në plan të lëviz këtë verë. Kam edhe 4 vite të tjera kontratë. Kam nënshkruar vetëm një vit më parë. Jam i lumtur këtu, edhe familja ime është e lumtur. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Të jem kapiteni i Arsenal do të ishte pika mbi i”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit