“Sikur nuk ishim në fushë”; Tuchel kritikon ashpër skuadrën pas humbjes me Manchester United

21 Tetor 2020
9:45
Alfred Lleshi
back button

Trajneri i PSG, Thomas Tuchel, e përshkroi humbjen e së martës, 2-1 kundër Manchester United, si një nga ndeshjet më të këqija të skuadrës që drejton. Gjermani ishte veçanërisht i ashpër me performancën e parizienëve në pjesën e parë të ndeshjes hapëse të Ligës së Kampionëve.

“Në pjesën e parë, ne thjesht nuk ishim në fushë, – tha Tuchel për “beIN SPORTS”. – Ky nuk është niveli ynë. Nuk e di pse, por thjesht mund të them se nuk ishte niveli ynë; në lëvizjen e topit, në zotërim, në kundërsulm, në sfida, në intensitet. Deri më tani, kjo ishte një nga ndeshjet tona më të këqija, një nga pjesët e para më të këqija. Lajmi i mirë ishte se nuk shkoi më keq”.

Tuchel komentoi faktin se ylli i PSG, Neymar, dështoi të shënojë në ndeshjen e katërt radhazi në Champions, çka ndodh për herë të parë që nga nëntori 2013: “Ne u përpoqëm të bënim disa ndryshime taktike për shkak të dëmtimit të Idrissa Gueye, u përpoqëm të sjellim një djalë tjetër sulmues. Nuk funksionoi, ishte kështu sonte. Nga fillimi deri në fund u ndie sikur kurrë nuk ishim në nivelin tonë më të lartë. Në të vërtetë nuk ishim në lartësinë e nevojshme për ndeshje të këtij niveli. Megjithatë, kemi shumë lojtarë të dëmtuar, shumë cilësi që na mungon. Për këtë, nuk jam i sigurt nëse kjo është më e mira jonë, jo”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit