Sinan Idrizi: Flamurtar “Leninist”, vonesa pagash ka, të kalohen në skaner financat e klubeve!

5 Dhjetor 2018
16:11
back button

Historia e pagesave të prapambetura të lojtarëve dhe stafit, është shndërruar në çështje në Superligën shqiptare. Luftëtari i Gjirokastrës rrezikon shkrirjen si ekip, ndërkohë që pagat e Flamurtarit janë vonuar prej kohësh ashtu si në klube të tjera. Administratori i klubit vlonjat, Sinan Idrizi, ka dhënë një intervistë, ku ka pohuar pikërisht problemin në fjalë, duke u shprehur se kjo gjë ndodh për shkak të sistemit të krijuar me pagat.

“Është krejt normale, kush tha që nuk është folur?! Ka katër-pesë muaj që flitet për problemet e pagave.  Unë e kam thënë dhe e përsërit, Flamurtari është i vetmi ekip në Shqipëri,  në këto pesë vjet që jam unë, që ka probleme pagash. Asnjë ekip tjetër nuk ka, i vetmi ekip jo funksional jemi ne. Të gjithë të tjerët janë të lulëzuar, kanë një ekonomi, thirrja ime është e thjeshtë fare. Nëse ka të tjerë që e bëjnë më mirë këtu në Vlorë, nuk flas për kafexhinjtë e kafeneve apo këta që shtyjnë ditën këtu në “Lungomare”, të vijnë dhe të vazhdojnë punën, unë e dorëzoj që sot. 

Përsëris, nëse nuk ndërtoni një ekonomi futbolli që të jetë korrekte me listëpagesat, atëherë pyetjes tënde ironike unë nuk i përgjigjem dot më me ironi. Të ndërtohet njëherë ekonomia e futbollit, të kalohen në skaner si mbahen klubet shqiptare, nga financohen, nga vijnë të ardhurat, dhe pastaj flisni për korrektësinë në listëpagesa. Është një gjë që nuk funksionon, nuk funksionon TVSH-ja, nuk funksionon tatimi mbi pagën, nuk funksionon asnjë gjë”-thotë Sinan Idrizi.

Ai shpjegoi se si investitor dhe administrator i klubit prej pesë vjetësh, ka derdhur për paga dhe shpenzime të tjera rreth 10 milion euro. Idrizi ka bërë ironi, madje ka shkuar më tej, duke folur indirekt edhe për ish-kryetarin e bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika, që sipas Idrizit, e mbante klubin duke vjedhur pronat publike të Vlorës.

Nëse unë kam probleme me zyrën e tatimeve, për të paguar këtë shumë të madhe që paguaj, pra 1.6 miliard, nëse unë nuk paguaj tatimet, duhet të kemë para shtesë për këtë dhe për këtë. Kërkoni sistemin, kërkoni si funksionon ky sistem, a ka një futboll shqiptar që ecën në shinat e kapitalizmit apo jo? Kur pata thënë se kjo është një ekonomi, një fabrikë, një pjesë e mirë e ish-futbollistëve që tani janë bërë komentator studiosh, fillonin historitë, “Sinani e kupton futbollin si një fabrikë”.

Futbolli është një fabrikë mor zotri. Është një fabrikë që ka bilance, ka hyrje, ka dalje, e përsëris, jemi në vitin e pestë, kam bilancet e mia ku janë paguar 10.870.000 euro. Të paktën faleminderit nuk thonë, dalin këto historitë e këmbëve të gjata, dhe thonë që janë vonuar pagat. Po pagat janë vonuar dhe do të vonohen sa të jetë ky sistem. Nëse sistemi nuk hyn në linj, lojtarët nuk kanë pse të më presin mua, transferta, erdhi, s`erdhi e kjo histori!

Pasaj kemi dhe këto ironitë e zevzekëve të facebook, hajde mo, a ka dikush ta bëjë më mirë pa vjedhur pronat publike të Vlorës?! Unë nuk kam Flamurtar që e financoj duke vjedhur pronat publike. Unë nuk financoj duke mbajtur nën hije bilancet e mija, por që ka vonesa në pagesa, ka mor ka!”-ka thënë Idrizi.

Humbja në Fushë-Krujë ndaj Kastriotit nuk e shqetëson shumë Sinan Idrizinin, pasi fakti që terreni ishte i rënduar, bëri që skuadra të mos dilte në lojën e saj. Gjithsesi, ai nuk pranon të vendos objektiva.

E kam thënë edhe më parë, ky është Flamurtar  “Leninist”, dy hapa para një hap mbrapa. Një fushë e rënduar si ajo në Fushë-Krujë, nuk mund të pritej më shumë se kaq. Ishte një ndeshje ku ndoshta mund të kishim bërë diçka më shumë, u luajt pjesërisht futboll. Kruja nuk kishte ekip të keq, po ta vije re erdhën në portën tonë tre-katër herë.

Në atë fushë, në ato kushte ishte e vështirë të flisje për futboll bio. Nuk bëhej fjalë për një futboll bio, dhe nuk kam çfarë kërkoj më tepër nga ekipi. Unë them se ky ekip, kam idenë, se duhet të vazhdojë të ecë më lartë në kuptimin e seriozitetit në fushë. Kam një ekip komod, kemi marrëdhënie korrekte, por kaq!”-shprehet Idrizi.

Telesport është krenar që bashkëpunon me Krowd9, një aplikacion fantastik i futbollit për shqiptarët! Shkarkojeni > bit.ly/krowd9 për video me përmbledhje ndeshjesh, njoftime të menjëhershme për golat dhe të gjitha lajmet e Telesport! Krowd9 është i përdorshëm në shqip, italisht dhe anglisht.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit