“Sjellje e turpshme” dhe “Fundi i një miqësie”, Spanja në kaos

19 Nëntor 2019
15:10
Denis Hakanaj
back button

Vendimi nga ana e Federatës për të kthyer Luis Enrique në drejtim të Furive të Kuqe ka shkaktuar shumë polemika. Jo për sa i takon vlerës si trajner dhe njeri të Luis Enrique, por për mënyrën se si kanë shkuar gjërat.

Trajtimi që i është bërë Roberto Moreno-s, ndihmësi i Luis që mori vendin e tij në ndeshjet e mbetura të fazës kualifikuese për Euro 2020, është konsideruar i gabuar nga pjesa më e madhe.

Mjafton të shihen rezultatet sondazhit të AS, që ka pyetur “ka qenë i drejtë vendimi i Federatës për Moreno-n?”, me tetë nga dhjetë spanjollë që janë shprehur kundër vendimit.

Tifozët e kanë shprehur pakënaqësinë e tyre në mënyrë më të qartë në rrjetet sociale. “Për aq sa e kemi njohur, Moreno duket një njeri i ndershëm dhe i drejtë. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Rubiales dhe Luis Enrique. Nëse është e vërtetë se e kanë organizuar këtë kthim prapa krahëve të tij, kjo është një gjë e shëmtuar”.

Gjithsesi, pjesa më e madhe ka sulmuar presidentin e Rubiales, i cili u kritikua shumë edhe vitin e kaluar për çështjen Lopetegui. “Çfarë mënyrë e shëmtuar për t’u ndarë me Moreno-n dhe për ta falenderuar për kualifikimin! Dhe të mendosh se jam e gëzuar për Luis Enrique. Por mënyrat e Rubiales janë të tmerrshme”.

Një koncept ky që përsëritet. “Të gjithë duhet të jemi të gëzuar për kthimin e Enrique, por mënyra se si federata është sjellë me Moreno-n është e neveritshme”.

Megjithatë, disa të tjerë mendojnë të kundërtën. Ka qenë Moreno ai që ka tradhtuar Luis. “Ka thënë se do të mënjanohej nëse Luis Enrique do të kthehej, por sjellja e tij tregon të kundërtën. Nuk ka qenë i ndershëm me Luis dhe as mirënjohës që e zgjodhi si ndihmësin e tij. Në fund, ai është zemëruar dhe nuk është paraqitur as në konferencë për shtyp…”.

Disa të tjerë besojnë se marrëdhënia mes tyre është prishur: “Kam frikë se, siç ka ndodhur në raste të tjera të ngjashme, kjo krizë do të jetë fundi i miqësisë mes Luis Enrique dhe Roberto Moreno”.

Tifozët nuk kanë qenë të vetmit që kanë dhënë mendimin e tyre. Mes reagimeve të shumta pas lajmit për kthimin e Luis Enrique, janë edhe ato të ish-futbollistëve. Si Casillas që, pa përmendur emra, ka shkruar në rrjetet sociale: “Jemi një vend karagjozësh”.

Edhe shtypi spanjoll ka mbajtur qëndrim. Një gazetar i AS ka shpjeguar: “Luis Enrique mund të zgjidhte çdo stol në Europë, por ka zgjedhur atë ku ndihmësi i tij ka mundësinë më të madhe të karrierës së tij. Dhe kjo nuk më duket e drejtë”.

“Nuk kam asgjë kundër Luis Enrique, është një trajner i madh dhe është më i mirë se Moreno. Por kjo më duket një burracakëri”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit