Skandal në Rumani: “Do prishim kontratën”, futbollisti bën për spital drejtorin e klubit

17 Korrik 2019
13:09
back button

Skandal në futbollin rumun: futbollisti kroat Filip Jazvic ka dhunuar drejtorin sportiv të klubit rumun të Ligës 1 Hermannstadt Răzvan Zamfir, pasi ky i fundit i komunikoi se klubi dëshiron t'i prishë kontratën.

Anësori ofensiv nga Kroacia, 28 vjeç, u transferua te Hermannstadt në fillim të këtij viti dhe luajti në 18 ndeshje sezonin e fundit, duke shënuar dy gola.

Këtë verë klubi rumun vendosi ta largojë, edhe pse ishte nën kontratë, ndërsa Zamfir ia komunikoi vendimin e klubit.

Jazvic u tërbua, duke u ankuar që klubi e njoftoi kaq vonë, në një kohë që ka disa javë që po përgatitet me ekipin dhe nuk kishte menduar për të gjetur ekip të ri.

Gjatë debatit, Jazvic e goditi me grusht drejtorin e klubit, duke e bërë për spital. Për këtë arsye, Zamfir ka paralajmëruar se do të bëjë denoncim në polici dhe nuk ka ndërmend të harrojë atë histori.

Edhe presidenti i klubit, Iuliu Muresan, ka mbetur i shtangur: "Kishim në plan të largonim 2-3 lojtarë, një prej tyre ishte Jazvic. Kur drejtori i komunikoi vendimin, ai e sulmoi me grushte. Duhet arrestuar, nuk mund ta besoj që ka bërë atë veprim. Do t'ia prishim menjëherë kontratën, nuk ka për t'i marrë pagat e prapambetura".

Lajme të tjera

Lajmet e fundit