SKANDAL: UEFA dënon Luftëtarin për trukime, presidenti e pranon vetë / FSHF mbyll sytë!

30 Gusht 2019
16:25
back button

Jetojmë në një vend ku budallallëku më i madh na duket si diçka normale, pranojmë absurditetin dhe madje e ndjekim me të madhe duke e ngritur në podium. Korça është një  shembull i qartë, duke protestuar për vendimin e UEFA-s kundër Skënderbeut për trukim ndeshjesh, pa u shqetësuar për të vërtetën. Ashtu si realiteti që përballemi çdo ditë si shoqëri, pa ditur të ngremë kokë. 

Në vorbullën e dënimit të “Ujqërve të dëborës”, një lajm tjetër skandaloz konfirmohet: Luftëtari është dënuar nga UEFA për shkak të ndeshjes farsë me Ventspils-in në Elbasan. Gjirokastritët humbën me rezultatin 5-0 në Letoni, ndërsa barazuan 3-3 në “Elbasan Arena”. Pamjet e ndeshjes flasin qartë, s’ka nevojë për koment, s’ka nevojë për hipoteza: vetëm nëse vendosim duart para syve dhe nuk shohim asgjë, atëherë nuk mund të dyshojmë. 

Ndeshja e dytë

Dyshimet u ngritën menjëherë pas ndeshjes dhe pamjet e golave bënë xhiron e medieve në Europë. UEFA nisi menjëherë në investigim, ndërsa nuk është i fshehtë fakti se Sportradar kishte bindje të fortë lidhje me trukimin e ndeshjes. Gjithçka u la në harresë në Shqipëri, ashtu si në rastin e Skënderbeut. Luftëtari nuk mori paratë që i takonin nga pjesëmarrja në Europë, ndërsa situata duket më e rëndë se kaq, pasi sipas asaj që thotë presidenti Bekim Halilaj për Top Channel, ekziston një dënim për klubin gjirokastrit. 

Kam marrë studion time ligjore dhe kam kërkuar rimbursimin prej 240 mijë eurosh. Si mund të dënohemi ne pse humbën ndeshjet? Sipas kësaj duhet të dënohen të gjitha skuadrat shqiptare që u mundën këtë verë. Unë nuk po investoj për të qëndruar në kategori, por për të qenë konkurrent. Nuk po investoj as për të fituar kampionatin, por vetëm për të qenë konkurrent”, – tha ai. 

Halilaj e pranon vetë se klubi i tij ka dënim dhe është penalizuar, por tifozët shqiptarë nuk dinë asgjë. FSHF bën një sy qorr, një vesh shurdh… Në fund të fundit, Luftëtari nuk do të marrë pjesë në Europa League me problemet e shumta që ka, nuk është problem të mbahet i fshehtë vendimi edhe nëse bluzinjtë janë dënuar. 

Praktikisht jemi në një terr informativ dhe FSHF vetëm bën sehir në këtë rast. Federata letoneze menjëherë pas ndeshjeve ngriti grupet e saj të punës për të hetuar sfidat, ndërsa në futbollin tonë të kulluar, ku ndërgjegjja është e zhytur thellë në baltë, gjithçka është e pastër. Rroftë SUPER-liga!

Lajme të tjera

Lajmet e fundit