Skandale me bastet e dopingun, boksi dhe shtanga rrezikojnë përjashtimin nga Olimpiada

10 Dhjetor 2021
12:47
Gentian Spiri

Sporti i boksit, peshëngritjes dhe pentathlonit modern rrezikojnë përjashtimin nga Lojërat Olimpike të vitit 2028, që do të zhvillohen në Los Anxhelos. Komiteti ekzekutiv i IOC ka vendosur të fusë në atë Olimpiadë disa disiplina të reja sportive si skateboard, sërf dhe ngjitje, duke parë se patën sukses në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Për të respektuar limitin e 28 disiplinave sportive dhe 10.500 sportistëve pjesëmarrës në një event olimpik, duhen sakrifikuar disa disiplina sportive historike si boksi dhe peshëngritja. Dy sporte që në Olimpiadën e ardhshme në Paris (2024) rrezikojnë të zhvillohen për herë të fundit.

Vendimi do të ratifikohet në mbledhjen e ardhshme të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, më 31 janar 2022 dhe do të miratohet vetëm në vitin 2023. Këto dy sporte cilësohen nga IOC si problematik. Boksi ka patur mjaft probleme me gjykimin dhe bastet e vëna, aq sa ishte IOC ai që organizoi eventet para-olimpike të Tokios.

Ndërsa për peshëngritjen rëndojnë akuzat e forta të përdorimit të dopingut nga ana e sportistëve, pasi janë të shumta rastet e pozitivitetit në këtë sport. Kjo vihet re edhe te medalistët, që shpesh janë të detyruar të kthejnë pas medaljet.

Gjithsesi, boksi dhe peshëngritja kanë shansin të tregojnë se kanë ndryshuar gjatë kësaj periudhe tranzitore dhe se meritojnë të jenë pjesë në familjes olimpike.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit