Skandali te Luftëtari, Aleksi reagon pas pezullimit: Nuk ma hedhin dot poshtë djersën!

14 Maj 2019
20:59
back button

Luftëtari ka habitur jo pak ditën e sotme, me njoftimin se ka pezulluar deri në fund të kampionatit trajnerin Julian Ahmataj, mbrojtësin brazilian Jacskon dhe mesfushorin Albano Aleksi.

Ky i fundit është menduar gjatë dhe pasditen e sotme ka vendosur të reagojë, me një postim të shkurtër në Facebook, ku natyrisht ka dhënë një përgjigje për vendimin skandaloz të Luftëtarit, që ka zbatuar teorinë tipike shqiptare "Kalova lumin, të dhj… kalin", sepse tani që siguroi mbijetesën, duket se po gjen armiq për arsye që nuk i bën të ditura.

"Dua të falënderoj në radhë të parë tifozerinë e Luftëtarit, të gjithë ata që më kanë mbështetur gjatë 4 viteve fantastike, duke përfaqesuar fanellën e Luftëtarit, fanellë e cila më dha mundësinë të jem ky futbollist që jam sot. Jam ndierë shumë i indinjuar pas informimit që mora për pezullimin nga ekipi ditën e sotme, por më shumë i indinjuar jam ndierë nga arsyeja absurde e këtij pezullimi. Dua t'i informoj të gjithë se kam dhënë maksimumin tim çdo sekondë të luajtur me ekipin e Luftëtarit dhe askush nuk mund të ma hedhë poshtë djersën që kam derdhur për këtë ekip dhe të ulë figurën time si futbollist i këtij ekipi. GJITHMONË FORCA LUFTËTARI", shkruan 26-vjeçari në Facebook.

Aleksi është transferuar te Luftëtari në verën e vitit 2015 dhe që atëherë ka qenë lojtar kyç, duke marrë vlerësime pa fund nga tifozët dhe mediat, por duket se drejtuesit e Luftëtarit nuk dinë çfarë është respekti.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit