Skënderbeu, gjysmëfinalisti i parë i Kupës. Laçi-Partizani shkon me shtesë

17 Mars 2021
14:54
Alfred Lleshi
back button

U mbyll çerekfinalja e parë e Kupës së Shqipërisë. Skënderbeu triumfoi në “Selman Stermasi”, duke mposhtur me rezultatin 3-1 blutë kryeqytetas, që garojnë në Kategorinë e Parë. Kuptohet, Dinamo nuk ka ambicie në këtë kompeticion, sikurse e tha edhe presidenti i saj para ndeshjes së sotme, por ngjitjen në Superiore. Kësisoji, forcat e “nëndetëses” janë fokusuar tërësisht në kampionat.

Nga ana tjetër, kuqebardhët e Memellit kaluan në gjysmëfinale, por vështirë të tentojnë më tej. Kujtojmë se Skënderbeu lufton për mbijetesë në Superiore, duke mbyllur renditjen aktuale të kampionatit me 16 pikë, një më pak se Apolonia. Sa për kronikë të ndeshjes, kjo çerekfinale përfundoi 3-1 për korçarët. Golat për ta u realizuan nga Mensah 21’, Berisha 43’ dhe Pusi 58’. Të ashtuquajturin gol nderi për blutë e shënoi Welber 63’.

Çerekfinalja tjetër, Laçi-Partizani, po luan kohën shtesë, dy herë nga 15 minuta, sepse koha e rregullt përfundoi në barazim pa gola. Nëse duhet, do të shkohet edhe drejt goditjes së penalltive, për të caktuar të kualifikuarin në gjysmëfinale. Prej orës 16:00, do të luhen edhe dy çerekfinalet e tjera: Teuta-Kukësi dhe Vllaznia-Korabi.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit