Skënderbeu, Shehi ndez sirenat: “Aty duhet ndërhyrje emergjente!”

12 Janar 2019
23:08
back button

Ndonëse fitoi me rezultatin e thellë 4-1 ndaj skuadrës së Bylis, në kuadër të fazës përgatitore dimërore, trajneri i Skënderbeut, Orges Shehi, në fjalën e tij pas ndeshjes ka theksuar nevojën emergjente të korçarëve për të ndërhyrë në merkato, për përforcimin e ekipit, me fokus specifik mbi mesfushën. 

“Kjo miqësore na shërbeu njëherësh në aspektin fizik dhe atë taktik. Jam i kënaqur me mënyrën se si u shpreh ekipi sot në fushë, duke përjashtuar disa minuta gjatë pjesës së parë. Më pas skuadra bëri përgjithësisht mirë. Problem serioz është shtimi i dëmtimeve. Kështu pas Demte që na mungon prej disa kohësh, na është dëmtuar Bregu dhe së fundmi edhe Lulaj. Deri më parë synonim përforcimin me 2 futbollistë, por tani duhen më shumë, ndonëse druhem se nuk do t’i gjejmë në kohë”, komentoi Shehi. 

“Kjo periudhë e vitit nuk të jep shumë opsione. Kemi nevojë për ndërhyrje në mesfushë. Dëmtimi i Bregut na bën që të marrim edhe një tjetër futbollist me fokus gjithmonë te mesfusha. Konkretisht aludohet dhe supozohet mbi shumë emra, por unë do ta konsideroj të kryer vetëm kur të kem futbollistët në drejtimin tim”, deklaroi ndër të tjera trajneri i Skënderbeut, Orges Shehi.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit